Largimi i Sinellës, Patozi: Të kapur për fyti nga të dëshpëruarit e sistemit

schedule15:45 - 21 Maj, 2019

schedule 15:45 - 21 Maj, 2019

Tre është bilanci i kandidatëve të larguar pas propozimit të tyre për zgjedhjet e 30 qershorit nga Bindja Demokratike. Kjo për koordinatorin e kësaj force politike Astrit Patozi është shprehje e frikës së atyre që quan “të dëshpëruar të sistemit” por që nuk do arrijnë ta ndalin erën e re që po vjen sipas Patozit.

Bindja nuk i zgjati shumë. Një tjetër kandidat për kryetar bashkie i propozuar nga subjekti më i ri politik,Bindja Demokratike, i deklaruar si opozitar ndaj mazhorancës së sotme, është tërhequr nga gara pasi një koleg i tij bëri të njëjtën gjë vetëm një ditë më parë. Bëhet fjalë për Bledar Sinellën, i propozuarin nga Bindja Demokratike për të konkuruar në bashkinë e Kavajës kundër kandidatit socialist Redi Kraja.

Për këtë ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale edhe koordinatori i kësaj force politike Astrit Patozi, sipas të cilit këto lëvizje vijnë për shkak të sulmit të orkestruar nga ata që quan “ të dëshpëruarit e sistemit”.

“Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e BINDJES DEMOKRATIKE. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.

Është e pashmbullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.

E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar”.

Një ditë më parë, Salvator Kaçaj, i propozuar nga Bindja Demokratike gjithashtu u tërhoq nga kandidimi për kryetar të Bashkisë Lezhë. Në dorëheqjen e tij depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kaçaj shkruante se zgjedhjet pa opozitën e vërtetë, Partinë Demokratike, do ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjithë Shqipërisë.

Për pasojë Kaçaj, i cili pritej të garonte përballë Pjerin Ndreut për karrigen e qytetarit të parë të Lezhës, deklaronte tërheqjen si nga kandidimi ashtu edhe nga Bindja Demokratike,  me qëllim bashkimin ndaj kauzës së opozitës për mbrojtjen e demokracisë.

Ditën e  shtunën u tërhoq edhe kandidati për Bashkinë Skrapar, Dejvis Hebibasi, i propozuar nga Bindja Demokratike. /ABC news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!