Maurizio Sarri ka kërkuar një sulmues të madh për sezonin e ardhshëm. Gonzalo Higuain do të largohet dhe dyshja Cristiano Ronaldo-Dybala presin një tjetër koleg, i cili pritet te jetë sërish nga Amerika Latine.
Mediat spanjolle raportojnë se në krye të listës së dëshirave të Juventusit është Gabriel Jesus, sulmuesi i Manchester City që pasnesër feston 23-vjetorin e lindjes. Dy janë shkaqet që braziliani mendon largimin nga Premier League dhe tundohet nga kampionët e Italisë: pezullimi i Cityt nga Champions League dhe fakti që ka humbur postin e titullarit.
Bardhezinjtë duan të përfitojnë nga kjo situatë dhe po përgatisin një ofertë për lojtarin e kombëtares braziliane. Emrat e tjerë që pëlqehen për sulmin janë Harry Kane i Tottenham (kushton më shumë se Jesus) dhe Mauro Icardi. /abcnews.al