Kryeministri Edi Rama në konferencën e mbajtur me dy ministrat, të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe të Financave, Anila Denaj u ndal tek situata e sistemit shëndetësor.
Kryeministri theksoi se sistemi shëndetësor këto 7 vite ka pësuar një përmirësim dhe se sipas tij nëse vendi do të përballej me pandemi para 7 vitesh atëherë do të përfshihej në një situatë kaotike, duke u bërë sipas tij edhe lajm botëror.
Lexo edhe: Naftëtarët e Ballshit në grevë, reagon Rama: Privatizim kriminal, po punojmë për një zgjidhje
“Kur flasim për shëndetësinë jam i gatshëm të shpjegoj sesa shumë halle kemi, por sot kemi sistem shëndetësor. Nëse COVID-19 do të kishte rënë para 7 vitesh Shqipëria do të ishte lajm botëror”, u shpreh Rama.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:
“Doni s’doni ju, sot Shqipëria ka një sistem shëndetësor që ka akoma probleme, por është një sistem shëndetësor. Para 7 vitesh Shqipëria nuk kishte sistem shëndetësor, kishte infermier që luftonin si në kohën e luftës.
Ju kujtoj se në ato spitale nuk e ndaje dot, nëse ishe treg frutash apo parking makinash sepse nuk e dalloje dot kur hyje. As uniforma nuk kishin. Para 7 vitesh në spital merrnin batanije me vete.
Kur flasim për shëndetësinë jam i gatshëm të shpjegoj sesa shumë halle kemi, por sot kemi sistem shëndetësor. Nëse COVID-19 do të kishte rënë para 7 vitesh Shqipëria do të ishte lajm botëror. Janë investime të kompanive private në shërbime që shlyhen pjesë –pjesë nga shteti. Nëse nuk do të kishim këto investime nuk do të jepnim ato shërbime”.
I ndalur tek problematikat në spitalet rajonale, Rama theksoi se nuk ka mungesë të mjekëve specializantë, ndërsa shtoi se në spitalet rajonale ka të tjera probleme dhe se janë në përpjekje për të minimizuar ato problematika.
/abcnews.al/