Lamtumira e fundit për legjendën e Tiranës e të Shqipërisë, Ali Mema

schedule13:51 - 27 Mars, 2019

schedule 13:51 - 27 Mars, 2019

Qindra e mijëra qytetarë i dhanë lamtumirën legjendës së futbollit të Tiranës dhe atij shqiptar, Ali Mema. Në ceremoni morën pjesë figurat më të shquara të sportit si dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Nuk kishte asnjë dyshim se radha do të bëhet tepër e gjatë. Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, por edhe gjithë vendi, nuk mund të humbiste rastin për të qenë pranë legjendës Ali Mema, në takimin e fundit.

E pafundme kolona e ish-lojtarëve, trajnerëve, njerëzve të të gjithë sporteve, si dhe e tifozëve tiranas, por edhe e qytetarëve aspak tifozë, por që erdhën aty thjesht dhe vetëm për Ali Memën.

Siç i takon çdo ceremonie me solemnitet e rëndësi të tillë, nuk mund të mungonte numri 1 i shtetit, dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i bëri homazhet e tij, në sallën e madhe të stadiumit “Selman Stërmasi”.

Me emocione të forta edhe ish-shoku i skuadrës së Memës, ish-kapiteni I 17 Nëntorit të viteve 60-të, Nuri Bylyku.

Farruk Sejdini, brez më pak më i vonshëm sesa ai Ali Memës, e pati edhe kundërshtar si lojtar I Dinamos, por nuk mund të mos e kishte mik.

Aliu ishte njëri nga emrat më të spikatur të asaj që mund të quhet “Dinastia Mema”, dhe u shua pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, në moshën 76-vjeçare.

Lindur në 11 shkurt 1943, “Liu” u bë pjesë e Tiranës që në moshën 17-vjeçare.

I formuar nga trajneri i njohur, Xhavit Demneri, ai fitoi katër tituj kampion me 17 Nëntorin e drejtuar nga trajneri Myslym Alla, po ashtu Kupën e Shqipërisë.

Mema luajti 1 vit për Vllazninë, si dhe 12 ndeshje për ekipin kombëtar. Në Kupat Ballkanike, ai luajti edhe për Partizanin dhe Dinamon.

Si ndihmëstrajner u shpall kampion i Shqipërisë tri herë, gjithnjë me bardheblutë, në vitet 80-të dhe 90-të.

Ali Mema u nderua me tituj të ndryshëm si Mjeshtër i Merituar, Mjeshtër i madh, Mjeshtër Sporti, Nderi i Sportit Shqiptar, Legjenda e Futbollit Shqiptar, Mirënjohje e Qytetit të Tiranës si dhe bën pjesë në Librin e Artë të Klubit të Futbollit Tirana./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!