Lamtumira e Eriksson/ “Kujdesuni për veten dhe jetën tuaj”, ish-trajneri: Shpresoj të më kujtoni si një njeri të mirë

schedule13:56 - 22 Gusht, 2024

schedule 13:56 - 22 Gusht, 2024

Një mesazh i fundit, si një leksion dhe trashëgimi, këtë herë jo për futbollin por për jetën.

Sven-Goran Eriksson ka menduar të thotë lamtumirë me anë të një dokumentari në “Amazon Prime”, në një kohë që po lufton për sfidën më të vështirë të jetës dhe që e di që e ka të humbur.

Ish-trajneri suedez u diagnostikua me një tumor në pancreas disa muaj më parë. Sëmundja është terminale, por ai do të luajë deri në minutën e fundit këtë “ndeshje”.

“Kam pasur një jetë të bukur. Mendoj që të gjithë ne kemi frikë për ditën kur do të vdesim”,- thotë në intervistën e gjatë 76 vjeçari.

Pasi zbuloi sëmundjen, Eriksson u rrethua nga dashuria dhe mirënjohja e gjithë botës së futbollit.

Ish-skuadrat që kishte drejtuar në karrierën e gjatë në pankinë e nderuan, ashtu si ish futbollistët dhe tifozët.

“Shpresoj të më kujtoni si një djalë pozitiv që bënte gjithçka mundej. Shpresoj që një ditë njerëzit të thonë se isha një njeri i mirë, por e di që nuk do ta thonë të gjithë. Mos t’iu vijë keq, qeshni. Kujdesuni për veten dhe jetën tuaj. Jetojeni. Faleminderit për gjithçka, trajnerët, lojtërët dhe publikut. Ka qenë fantastike”,- thotë në fund Eriksson, që e mbyll me një “mirupafshim” të thjeshtë mesazhin e tij.

Sven-Goran Eriksson qëndroi më shumë se katër dekada në pankinë, duke drejtuar disa skuadra të rëndësishme të Evropës, përfshirë edhe kombëtaren angleze.

Pasi u mësua për sëmundjen e tij, Liverpul i realizoi ëndrrën më të madhe, atë për të drejtuar “Reds”. Erikson u ul në pankinën e “Të Kuqve” në një ndeshje bamirësie në “Anffield Road”, ku tifozët i dedikuan himnin e famshëm “You will never walk alone”. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!