Lamtumira e dytë e Lorik Canës

schedule15:42 - 23 Tetor, 2017

schedule 15:42 - 23 Tetor, 2017

Lorik Cana bëri edhe lamtumirën e dytë me futbollin. Pas ceremonisë në ndeshjen Shqipëri-Itali, ish-kapiteni u nderua në përballjen e madhe Marsejë-Paris Sen Zhermen

Fillimi nuk ishte ai i një përballjeje të madhe.

Tifozë të Olimpikut të Marsejës u përplasën me policinë, në prag të duelit të ekipit të tyre ndaj Paris SG, duel ku ishte parashikuar edhe lamtumira e Lorik Canës.

Nëse nuk do të kishte qenë për futbollin, ndoshta edhe Loriku do të kishte qenë një nga këta djem të pafat, që protagonizmin e vetëm të jetës e gjejnë kështu.

Gjithsesi, në stadiumin e famshëm “Velodrom”, ceremonia vazhdoi siç ishte parashikuar.

Plot 60 000 tifozë brohoritën jo vetëm yjet e sotëm, por edhe dy legjenda të pak viteve më parë, Lorik Canën dhe Zhibril Sisenë.

Ish-kapiteni I kombëtares shqiptare, njëkohësisht ish-kapiten I Marsejës, pati ndeshjen e duhur për të dhënë lamtumirën e dytë, pas asaj që dha në Shqipëri-Itali.

Në karrierë luajti edhe për Olimpikun, edhe për Paris SG.

Pas largimit të tyre, ndeshja në fushë ishte vërtet e madhe.

Jo më kot njihet si Derbi i Francës, Jugu kundër Veriut.

Edhe një superfuqi e sotme si PSG mund të provojë humbjen në “Velodrom”, dhe kryeqytetasit thuajse u mundën.

Nuk mjaftuan Nejmar, Kavani, Mbape dhe superyjet e tjerë, madje braziliani I blerë për 222 milionë euro provoi edhe përjashtimin e parë në Francë.

Dy faulla, dy të verdhë dhe një karton i kuq.

Gjithsesi, Paris SG u shpëtua pikërisht nga njëri prej udhëheqësve të vjetër.

Edinson Kavani tregoi sesa i vlefshëm mbetet, pasi përveç pasimit të golit të Nejmarit, shmangu humbjen në sekondën e fundit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!