Kreu i OSBE Miroslav Lajcak shpreson se Bashkimi Evropian do të tregojë seriozitet në përballë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke i dhënë mundësinë në tetor hapjes së bisedimeve për tu anëtarësuar në familjen evropiane. Deklaratën shefi i OSBE e bëri gjatë një takimi jo formal që ministrjat e jashtëm po zhvillojnë në Helsinki.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të marrin një ftesë nga Bashkimi Evropian. Është ky mesazhi i kreut të OSBE, Miroslav Lajçak, njëkohësisht ministër i Jashtëm i Sllovakisë gjatë takimit informal të ministrave të Punëve të Jashtme, Gymnich, që po zhvillohet në Helsinki të Finlandës.
“Do të keni më shumë në tetor në Këshillin e përgjithshëm. Mendoj se do të ishte një sinjal i fuqishëm se sa seriozë jemi ne. Unë shpresoj që ne të jemi seriozë”.
Kreu i OSBE sqaroi se cfarë kuptonte me sinjal te fuqishëm.
“Shpresojmë të ketë një ftesë sepse do të kishte pasoja serioze për të ardhmen e procesit të zgjerimit”.
Në takimin joformal të ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, merr pjesë edhe Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj
Ministrat pritet të trajtojnë tema të nxitjes së bashkëpunimit rajonal në fusha të interesit të përbashkët. Ndër to, në diskutim janë çështjet e axhendës evropiane e të rajonit, nismat në kuadër të procesit të Berlinit apo transheve të tjera paralele rajonale, të cilat kanë si objektiv zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Ministri në Detyrë, Gent Cakaj, gjatë qëndrimit në Helsinki do të zhvillojë disa takime dypalëshe me homologët e tij të vendeve të Bashkimit Evropian për të diskutuar mbi pritshmërinë për një vendim pozitiv nga Këshilli në tetor 2019 për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë./ABC News Albania 24/7