“Lagje të reja në Thumanë dhe Bupq”, Rama: Fëmijët nuk do t’i kenë më këpucët me baltë

schedule10:37 - 21 Prill, 2021

schedule 10:37 - 21 Prill, 2021

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme takim elektoral me anëtarët e Partisë Socialiste në Fushë-Krujë.

Ndërsa u ndal tek tërmeti dhe dëmet e shkaktuara në Thumanë dhe Bupq, Rama tha se falë këmbënguljes dhe forcës së karakterit këto sot do të kenë një lagje të re të transformuar dhe se ata fëmijë që do të rriten në ato logje nuk do t’i kenë më këpucët me baltë, falë rindërtimit që po i transformon këto zona.

“Në Thumanë po rimerr jetë shëmbëlltyra e zemrës tonë. Por edhe në Bupq po ndërtohet një lagje e re ku fëmijët do të rriten krejt ndryshe nga mënyra se si u rritën prindërit e tyre. Deri dje para tërmetit ato familje dhe ato fëmijë ishin më mbrapa se të tjerët, por sot ata fëmijë janë përpara shumë fëmijëve të tjerë. Ata fëmijë sot do të dalin nga shtëpia dhe nuk do të kenë më këpucët me baltë kur të shkojnë në shkollë”, tha Rama.

“Pas një periudhe të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët ka dritë”,  theksoi ai në këtë takim elektoral, ndërsa shtoi: “Ju i ndjetë më shumë se të tjerët lëkundjet e frikshme të tërmetit. Për ditë të tëra ju i ndjetë pasiguritë. Por pavarësisht vështirësive në rezistuam. Ne provuam që përmasa e njeriut nuk matet në ditë të mira, por matet aty ku toka dridhet nën këmbë dhe kur ndeshet me forcën e një kundërshtie të madhe. Aty ne provuam se çfarë karakteri ne kemi dhe se çfarë mund të bëjmë së bashku përballë çdo të keqeje”.

Ndërsa në fjalën e saj, ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi theksoi në rrugëtimin e PS-së Fushë-Kruja u transformua nëpërmjet projekteve të iniciuara nga kjo forcë politikë.

Gjithashtu ajo i bëri thirrje qytetarëve që në 25 prill të votojnë për PS-së, me qëllim që të gjitha punët për transformimin e Shqipërisë të mos ndërpriten në mes.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!