Lacio humb papritur me Xhenoan në Serinë A, tani më larg Championsit

schedule13:12 - 6 Shkurt, 2018

schedule 13:12 - 6 Shkurt, 2018

Portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, doli këtë herë i mundur nga fusha në Serinë A. Disfata ndaj Xhenoas rrezikoi pozitat e Lacios për në Champions

U mposht dy herë, por jo për faj të tij.

Tomas Strakosha doli edhe i mundur nga fusha e stadiumit të tij, por besohet se më shumë i keqardhur ishte për disfatën e Lacios.

Kryeqytetasit humbën 1-2 në “Olimpiko” të Romës ndaj Xhenoas, në një përballje të Serisë A që mendohej se do ta fitonin për të forcuar pozitat në vendin e tretë të renditjes.

Edhe tani Lacio është po e treta, veçse duke pasur fare pranë Interin dhe Romën, e duke pakësuar shanset për t’u kualifikuar për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Në një sezon që vazhdon të quhet shumë i mirë për lacialët, ata gjithsesi po tregojnë disa kufizime, edhe pse kanë shënuar thuajse po aq gola sa Juventusi në këtë kampionat, 58 ndaj 59 të kampionëve.

Ekipet e tjerë janë shumë prapa, përfshi edhe Napolin kryesues.

A e dëshpëroi shumë kjo humbje trajnerin Inzagi?

Jo edhe aq, pasi ai theksoi se në fillim të edicionit askush nuk priste që Lacio të ishte kaq lart në renditje.

“Në start, kualifikimi për në Champions ishte një ëndërr, – tha Inzagi, – tani është diçka krejtësisht e realizueshme”.

Gjithsesi, skuadra e Strakoshës ka nevojë të ketë më shumë maturi.

Siç thotë trajneri, një ndeshje që nuk je në gjendje që ta fitosh, të paktën nuk duhet ta humbësh.

Në renditje, Lacio ka 46 pikë, ndaj 45 të Interit e 44 të Romës, ndjekësve të më afërt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!