Tirana e Kukësi rivalizojnë për titullin kampion dhe nesër verilindorët kanë një përballje të vështirë me Laçin. Gjatë emisionit “Pressing” në ABC News, specialistët në panel folën për përballjen që ka skuadra e Orges Shehit dhe për rëndësinë që ka ajo. Florian Riza shikon përtej kësaj sfide, duke theksuar se Kukësi duhet të kalojë me sukses të gjithë grupin e këtyre ndeshjes, pasi përballet më pas me Bylisin dhe Tiranën, në ndeshje direkte. Bledi Shkëmbi, Agim Canaj, Alban Hasani dhe Artur Çobani ndanë mendimet e tyre në fundin e emisionit, që iu dedikua pikërisht përballjes Laçi-Kukësi.
BLEDI SHKËMBI – “Pa publik janë disa skuadra që nuk janë njëlloj. Laçi, Bylisi e Tirana janë mësuar me tifozë. Është një plus për Laçin mbështetja e tifozëve. Vërtetë kjo është ndeshja më e fortë e kësaj jave. Këto dy ekipe gjithmonë kanë pasur rivalitet. Nëse Kukësi fiton, atëherë mund të besojë deri në fund për titullin kampin.
Orgesi nuk e ka akoma skuadrën që. Fati i tij i keq ishte që ra pandemia, nuk u stërvitën. Kishte vetëm dy javë me ekipin. Akoma nuk është ekipi që ai do donte të kishte. Duke pasur parasysh atë dhe cilësitë e Kukësit, i kanë mundësitë të bëjnë mirë. Është një ndeshje vendimtare në rrugën për titull”, tha Shkëmbi.

AGIM CANAJ – Vlonjati, që sezonin e shkuar drejtoi për disa javë Vllazninë, shtoi: “Është ndeshja ideale për Kukësin të vendosë veten e të thotë që unë dua të fitoj titullin. Është momenti për ta vënë Tiranën në presion. Nëse vlerësohet një ndeshje, kjo duhet vlerësuar nga Kukësi.
Ka disa favore. Luan në një fushë pa tifozë, jashtë, dhe Kukësi është mësuar. Kjo është një përballje e veriut, një ndeshje që ka prodhuar futboll dhe polemika. Kjo është ndeshja kryesore dhe i bën shumë presion Tiranës. Nëse ndodh e kundërta, atëherë çdo gjë ka mbaruar. Kukësi duhet të fitojë me patjetër”.
ALBAN HASANI – Shkodrani, i cili ka qenë pjesë e kurbinasve gati 15 vite më parë, nuk ka dyshime mbi fituesin e kësaj ndeshjeje. “Jam i bindur se Laçi e kalon Kukësin. Nuk është Cungu, është Pashk Laska i pari i Laçit. Do ketë tifozët jashtë. Është një ekip me grinte, më djem të ri. Besoj se kjo është javë për Tiranën”.
ARTUR ÇOBANI – Pjesë e diskutimit ishte edhe ish-futbollisti i Lushnjës dhe Dinamos, i cili tha:“Kukësi ka gjithë kampionatin që është në vendin e dytë. Ata nuk kanë presion, për mua. Presioni është tek ai që është në krye. Presionin e presidentit e dimë. Presionin e ka Tirana, ndjekësit vrapojnë. Ata të dytët dalin, nuk kanë ku shkojnë. Në Laç Kukësi ka gjënë më të mirë, për të luajtur futboll. Grupin e ka, kanë lojtarët më të mirë dhe që të nxjerrin nga situata”. /abcnews.al

