Laçi eleminon Kukësin jashtë fushe, synon kupën e tretë në histori

schedule18:42 - 18 Prill, 2018

schedule 18:42 - 18 Prill, 2018

Laçi siguroi një tjetër finale të Kupës së Shqipërisë. Skuadra kurbinase do të synojë trofeun e tretë në historinë e saj, pas eleminimit të Kukësit kampion.

Nuk ka ekip më të mirë këto vitet e fundit.

Laçi mund të quhet pa frikë si skuadra eksperte e Kupës së Shqipërisë, pasi arriti përsëri finalen.

Edhe pse nuk ishte në rolin e favoritit, u kualifikua brenda në Kukës, falë golit në fushë kundërshtare, dhe fitoi të drejtën për të luajtur finalen e katërt në 6 sezonet e fundit.

Kurbinasit e trajnerit vlonjat Gentian Mezani dhe të presidentit Pashk Laska, do të ketë mundësinë të fitojnë trofeun e tretë në histori, diçka që nëse ndodh, i barazon me Teutën dhe I afron me Flamurtarin.

Në të vërtetë nisi shumë keq për miqtë në stadiumin “Zeqir Ymeri” që u ndëshkuan me penallti që në minutën e 19-të.

Njëmbëdhjetëmetërshin e fitoi sulmuesi kryesor, Sidrit Guri, dhe ishte po ai që kaloi Kukësin në epërsi.

Pavarësisht se Laçi është quajtur rival serioz kohët e fundit, u mendua se kampionët e drejtuar nga trajneri Peter Pakult do t’ia dilnin.

Jo më kot kishin shfaqur formë shumë të mirë gjatë gjithë këtyre javëve, duke forcuar pozitat në vend të dytë, duke qenë pranë një kualifikimi të mundshëm në Champions.

E tregoi edhe fitorja 4-0 ndaj Partizanit fundjavën e kaluar.

Të gjitha këto nuk vlejtën sidoqoftë, gjithnjë për atë që u shfaq në fushën e lojës.

Kurbinasit reaguan dhe barazuan me Rezhinaldon, lojtarin që pak ditë më parë pretendoi se presidenti i tij, Laska, e dhunoi fizikisht.

Për më tepër, miqtë patën mundësi edhe të shënonin golin e fitores, ndonëse u mjaftonte barazimi.

Kualifikim me gol në fushë kundërshtare, pas rezultatit 0-0 në Laç.

Si mund të emërtohet eleminimi i kampionëve?

Në futbollin shqiptar, gjithnjë të paragjykuar dhe me arsye, dyshimet janë për një kombinim tresh, me Kukësin në Champions, Partizanin në Ligën e Europës nga kampionati dhe Laçin po në Ligën e Europës nga Kupa.

Ndoshta, kombinimi mund të bëhet i plotë me kualifikimin në Europë edhe të Luftëtarit, edhe pse si gjithnjë këto janë vetëm supozime. /abcnews.al