“La” nxënësen me barrë, thellohet skandali i drejtoreshës së DAR Fier (VIDEO)

schedule16:02 - 5 Mars, 2020

schedule 16:02 - 5 Mars, 2020

DAR Fier ka dalë me një deklaratë në lidhje me helmimin e 60 nxënësve dje si edhe skandalit të ditës së sotme ku drejtoresha Yllka Beci tha se nxënësja e dërguar me barrelë me urgjencë në spital nuk ishte helmuar, por gjithçka ndodhi sepse ishte shtatzënë.

Fill pas publikimit të kësaj deklarate në Abc News, ndaj mësueses vërshuan kritikat duke e detyruar që të kërkojë një rrugëdalje nga skandali, gjë të cilën duket se nuk e ka arritur.

EKSKLUZIVE/ Tek gjimnazi “Janaq Kilica” u përdor spraj kundër arinjve: Si u helmuan 60 nxënës

Në njoftimin e publikuar sëfundmi, DAR Fier thekson se drejtoresha Yllka Beci është ngatërruar kur ka bërë këtë deklaratë.

Sipas shpjegimit të DAR Fier, drejtoreshës i është thënë nga kolegët se një mësuese shtatzënë gjendej në spital. Sërish sipas asaj që thotë DAR Fier, në nxitim e sipër, drejtoresha Yllka Beci ka ngatërruar fjalën nxënëse me mësuese duke bërë kështu një lapsus.

Por, në videon e publikuar fillimisht nga abcnews.al dëgjohet qartë që drejtoresha Yllka Beci thotë se bëhet fjalë për një nxënëse shtatzënë.

Abc News e ka ndjekur këtë ngjarje që nga fillimi ku duket qartë që drejtoresha fillimisht tentoi të manipulonte situatën duke thënë se nxënësja e dërguar me barrelë nuk ishte helmuar, por kishte probleme të tjera shëndetësore.

Qëllimi i vetëm ishte që të tërhiqte vëmendjen nga helmimi i nxënësve për ta kanalizuar problemin si një çështje personale të një nxënëseje.

Për më tepër ndiqni videon

Reagimi i DAR Fier

Sot në shkollën “Janaq Kilica” ka filluar mësimi normalisht, pasi janë bërë të gjitha kontrollet strikte në ambientet e shkollës. Megjithatë, kemi patur një nxënëse që ende ka mbetur nën ndikimin e frikës dhe panikut të një ditë më parë, çka ka sjellë edhe shqetësim mes prindërve. Aktualisht nxënësja që ka shfaqur probleme ankthi është shumë mirë dhe iu rikthye mësimit.

Dëshirojmë të sigurojmë prindërit e nxënësve të shkollës se po monitorojmë me vëmendje maksimale çdo zhvillim. Na keni besuar neve gjënë më të shtrenjtë, fëmijën tuaj dhe ne përkushtohemi maksimalisht për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Janë shtuar oficerët e sigurisë për të parandaluar çdo lloj ngjarje të pakëndshme.

Ambientet e shkollës janë të mirë-kontrolluara dhe në siguri të plotë për mësim, ndërsa kemi shtuar oficerët e sigurisë dhe do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër edhe instalimi i kamerave të sigurisë.

Situata e shkaktuar në shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier, përgjatë këtyre dy ditëve është e pazakontë, por menaxhimi i rastit nga drejtoria e shkollës, stafi i mësuesve, psikologët dhe drejtuesit e Zyrës Arsimore Vendore, ka bërë që mësimi të vijojë normalisht në këtë shkollë.

Paniku që ka përfshirë nxënës dhe mësues, pas asaj që ndodhi një ditë më parë, vijon të jetë prezent dhe sigurisht që një shqetësim i tillë shoqërohet edhe me ankth tek nxënës e mësues.

Pas njoftimit të marrë se një vajzë brenda shkollës, ndjehej keq dhe paraqiste shenja paniku, është kërkuar edhe ndihma mjekësore, ndërsa mbërritja e ambulancës ka alarmuar prindër e qytetarë.

E ndodhur në këto kushte, kur një përgjigje ishte domosdoshmëri, kreu i Zyrës Arsimore Vendore në Fier, Znj. Yllka Beci, e shqetësuar nga ajo çka po ndodhte, është përfshirë në një situatë aspak të këndshme, ku mes situatës kaotike prindërit tentonin të futeshin në mjediset e shkollës, dhe nevojitej që të qetësoheshin sa më parë.

E tensionuar nga kjo situatë, Znj. Beci, në një komunikim me prindër e gazetarë është shprehur se nuk ka vend për panik, pasi nuk ka asnjë ngjarje të pazakontë në mjediset e shkollës, duke shtuar se ambulanca ka mbërritur për të marrë një vajzë që ndjehej keq.

E ndërsa për në Spitalin Rajonal Fier është shoqëruar një nxënëse e shkollës, drejtuesja e arsimit, më parë ishte informuar se një mësuese shtatzënë, kishte shfaqur probleme, çka ka bërë që të krijohet edhe një keqkuptim.

Drejtuesja e Zyrës Arsimore, me fjalën “vajzë” i referohej mësueses shtatzënë, dhe jo nxënëses e cila u shoqërua me autoambulancë në spital.

Zyra Arsimore Vendore Fier, është pranë nxënësve dhe stafit mësimor për tejkalimin e kësaj situatë, ndërsa pritet që organet kompetente të zbulojnë të vërtetën e të gjithë kësaj ngjarje që ndodhi në një nga shkollat e mesme më të mëdha dhe më me emër në qytetin e Fierit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!