La Kosovën e Italinë, hap furrë buke në Kukës: Nuk u bëra dot italian, në Shqipëri si në shtëpi

schedule20:37 - 16 Shtator, 2023

schedule 20:37 - 16 Shtator, 2023

As në Itali e as në Kosovë, rehatinë e gjeti vetëm në Kukës.

Lumez Tunaj nga Prizreni prej më pak se një viti po jeton në veri të Shqipërisë. Aty ka hapur një furrë buke.

“Shumë vite kam ndenjur në Itali, nuk kam mundur të adaptohem. Jam kthyer në Kosovë, kam punuar gjithmonë nëpër furra, derisa më erdhi shansi këtu, jam shumë i kënaqur”.

Eksperiencën e ka marrë në Itali ku punoi prej 16 vitesh. Pas emigrimit u kthye në Kosovë por puna nuk po i shkonte mirë, rastësia e çoi në Kukës ku thotë se ndihet si në shtëpi.

“Prej 1994, kam qenë në Itali, jam marrë me furrë, prejardhjen e kam nga Gjakova.”

Komuniteti atje e ka mirëpritur dhe mbështetur ndaj dhe përshtatja ka qënë e lehtë dhe e shpejtë.

“Jam shumë mirë, më kanë respektuar të gjithë, i falenderoj të gjithë kuksianët. Unë jam shqiptar”.

Besimin e tyre e shpërblen me cilësi dhe çmime të arsyeshme.

“Sipas mendimit tim, janë të kënaqur me çmimet”.

Pëveç atyre shqiptare në furrën e tij gjen produkte tradicionale të Italisë e Kosovës.

“Po shoh një picë. Bëj edhe pica, vijnë nxënësit. Këtë e adhurojnë shumë nxënësit. Picat dhe bukën e kam mësuar në Itali”.

Puna i sjell fitime për të jetuar mirë, por shqetësim përbën mungesa e punonjësve.

“Klasa punëtore për ne është krizë, problem të gjesh punëtorë e t’i sjellësh këtu”.

Në Kukës Lumezi jeton bashkë me familjen. Fëmijet nisën shkollën këtë shtator në qytetin verior ndërsa shpreson që lejen e qëndrimit së shpejti ta zëvendësojë me pasaportë shqiptare.

“Fëmija është shtetas shqiptar, i kanë pasaportat shqiptare, unë e kam lejen e qëndrimit për 5 vite, por shpresoj të marr pasaportën”.

Lumez Tunaj shpreson po ashtu që mes dy shteteve Shqipërisë e Kosovës të mos ketë më kufij në mënyrë që jeta e të gjithë shqiptarëve këtej apo andej kufirit të mos vështirësohet nga burokraci dokumentash.

Gjithmonë flitet për Kukësin si vendi me shkallën më të lartë të varfërisë dhe të papunësisë, por edhe braktisjes masive, ndërsa per Lumezin duket se puna ka ecuri të mbarë dhe treg të mjaftueshëm, e ka fituar edhe klientelën e tij e cila sa vjen e rritet./abcnews.al