KZAZ ndryshojnë vendet, ku strehohen?

schedule13:07 - 21 Qershor, 2019

schedule 13:07 - 21 Qershor, 2019

Prefektët që kanë në qarkun e tyre bashki të drejtuara nga opozita, i kanë kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që KZAZ-të të zhvendosen nga  ambientet që janë pronë e bashkisë, në hapësira të tjera  që administrohen nga qeveria. Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi shpejgoi në një intervistë për ABC News se në këtë mënyrë po shmangen konfliktet mes  institucioneve vendore dhe atyre qëndrore. 

Në 27 bashki që drejtohen nga opozita, do të ndryshojnë vendndodhjet e KZAZ-ve. Prefektët i kanë kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që selitë e këtyre komisioneve, që pas të dielës do të shërbejnë dhe si vendnumërim për votat, të vendosen në ambiente që i kontrollon qeveria, si prefekturat, universitetet apo drejtoritë rajonale të institucioneve.

Bledar Skënderi Anëtar i KQZ “Vendimmarrja jonë është në bazë të propozimeve të prefektëve. Sot për shembull, kishim një propozim nga Prefekti i qarkut Vlorë për të ndryshuar vendndodhjen e dy KZAZ-vë, asaj të Selenicës dhe Delvinës në vende të reja më në qendër të qarkut. Është kompetencë që Kodi Zgjedhor ju jep prefektëve të zgjedhin zonat më të përshtatshme që ata mendojnë për këtë proces. KQZ, veç organizimit të procesit zgjedhor, ka edhe dëshirën të kontribuojë në shmangien e përplasjeve apo konflikteve, ndaj në këtë aspekt, do të japim çdo lloj aksesi për ta zgjidhur sa më pozitivisht situatën. Mendojmë që koha për këto ndryshime është e mjaftueshme, pasi i duhet disa ditë kohë edhe subjektit që ka fituar tenderin për instalimin e sistemit elektronik për fletët e votimit dhe transmetimit të informacionit, të bëjë gati infrastrukturën.”

Dëmet e shkaktuara nga djegiet në disa KZAZ janë të pakta sipas llogarive të KQZ-së, dhe që janë gati për tu zëvendësuar.

“Bledar Skënderi Anëtar i KQZ “Në disa KZAZ janë djegur disa materiale zgjedhore paraprake që ne kishim dërguar. Janë materiale kartoni të dhomave të fshehta dhe materiale promocionale. KQZ ka materiale të tilla rezervë dhe mund të zëvendësohen lehtësisht.”

Javën e ardhshme do të bëhet edhe shpërndarja e fletëve të votimit, që janë mjetet më të vështira për tu zëvendësuar nëse dëmtohen.

Bledar Skënderi Anëtar i KQZ  “Fletët e votimit, që janë dhe materialet më të rëndësishme zgjedhore shpërndahen një ditë përpara zgjedhjeve. Ato do të dërgohen fillimisht në KZAZ-të përkatëse, dhe më pas do të ndahen në KQV një ditë përpara zgjedhjeve.”

Edhe për fletët e votimit, KQZ ka printuar 2 % më shumë se sa numri i votuesve për çdo bashki, në rast se ka dëmtime të pjesshëm me ose pa dashje./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!