“Ky, një derbi tjetër! Nuk kam fjalë! Mos më krahasoni me Ekuban!”

schedule11:00 - 1 Tetor, 2019

schedule 11:00 - 1 Tetor, 2019

Theophilus Solomon dalëngadalë po fiton zemrat e tifozëve të kuq. Sulmuesi nigerian shënoi në derbi dhe normalisht që ndihet shumë mirë. 23-vjeçari i gëzohet golit dhe gjithë kënaqësinë e tij do ta ndajë me familjen e kuqe të Partizanit. Nuk mungon as një dedikim, për babanë e tij të ndjerë.

“Luajta derbin e parë me Partizanin. Ishte një fitore e madhe për mua dhe për familjen e Partizani. Është me të vërtetë një plus i madh për ne.  Golin ia dedikoj babait tim. Ai u nda nga jeta 8 vite më parë, kështu që ia dedikoj golin atij. Gjithashtu, ia dedikoj edhe familjes time dhe tifozëve të Partizanit. Ky gol është për ju njerëz, për familjen e Partizanit. Ju dua dhe premtoj se do të bëj edhe më shumë”, shprehet Solomon për “ABC News”.

Triumfi në derbi ka specifikë të veçantë: “Kjo fitore ishte diçka që do të na shtyjë edhe më shumë në të ardhmen. Do të bëjmë edhe më shumë. Triumfi në derbi është një motivim i madh për të gjithë ne”. Solomon ka luajtur në të shkuarën në Kroaci, Serbi dhe Hungari. Edhe në të shkuarën e ka provuar shijen e derbit, por thekson se Tirana-Partizani ishte i veçantë.

“Me sinqeritet ju them se ky nuk është derbi i parë që kam luajtur, por atmosfera këtu ishte diçka tjetër. Që kur erdhëm në stadium, atmosfera, tifozët, ishin të pabesueshëm. I gjithë stadiumi ishte aktiv që nga fillimi i ndeshjes. Ky është një derbi tjetër, nuk kam fjalë për ta përshkruar. Do doja të kisha më shumë fjalë për thënë, por është diçka tjetër. Ishte fantastike”, shton sulmuesi.

Solomon dëshiron të qëndrojë me këmbë në tokë dhe nuk bën premtime të mëdha. Gjithashtu si i shmanget krahasimeve me Caleb Ekuban. “Nuk mund të premtoj shumë gjëra, por i siguroj të gjithë që do të bëj maksimumin për familjen Partizani”.

“Mund të bëni të harrohet Ekuban? Kam dëgjuar për Caleb Ekuban. Ai është tjetër person, unë jam tjetër. Nuk kam asgjë për të thënë për këtë. Ju keni shënuar dy gola në 6 javë, Ekuban kishte shënuar një? (Qesh) Do të bëj maksimumin për Partizanin”, shprehet me modesti nigeriani.

Sulmuesi i Partizani tregohet i sinqertë, kur e pranon se ka pasur dilema për të ardhur në Shqipëri. Në fund flet edhe për shanset që kanë për titullin. “Ardhja ime në Shqipëri është diçka e mirë për mua, tani. Në fillim ishte “Ok, por nuk e di…”. Më pas thashë ta provoj dhe besoj se është një lëvizje e mirë për mua. Nuk kam folur me asnjë para se të vija këtu. Dëgjova zemrën time, që më thoshte se do të ishte mirë të vija këtu. Titulli? Mund të them me bindje që këtë sezon do të arrijmë diçka të madhe”, u shpreh në mbyllje Solomon. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!