Ky është “Troi”, u vra në mënyrë tragjike para dy ditësh në Tiranë: Shumë qanë për të

schedule13:10 - 9 Qershor, 2020

schedule 13:10 - 9 Qershor, 2020

Dy ditë më parë një qen është vrarë në mënyrë tragjike në zonën e Kombinatit në Tiranë.

“Troi”, siç e thërriste familja që kujdesej për të, u përplas në mënyrë fatale nga një makinë që kaloi me shpejtësi në rrugë pasi ishte trembur nga pronari i një lokali aty pranë.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin, kur pronari i lokalit i sulet qenit duke e trembur për t’u larguar nga rrugica pranë biznesit të tij. I trembur prej pronarit të lokalit, Troi del papritur në rrugë ku edhe përplaset.

Pamjet janë të dhimbshme, sepse pas përplasjes ai rikthehet në trotuar dhe i del shpirti mes dhimbjeve, kurse pronari i lokalit që e çoi drejt vdekjes e shtyn fillimisht me këmbë dhe më pas e tërheq zvarrë për ta hedhur sërish në rrugë.

Ngjarja e rëndë ka tronditur mjaft qytetarë të zonës, të cilët kishin krijuar afrimitet me kafshën e gjorë.

Për të kujdesej një zonjë, e cila kishte edhe kafshë të tjera të braktisura në ambientin e saj.

Siç tregojnë qytetarët për Abc News, qeni kishte shkuar në mirëbesim pranë lokalit pasi aty ishte duke pirë kafe një ndër personat që kujdesej për të. Por, ndërkohë që ajo ishte larguar për të blerë bukën, qeni është trembur dhe shtyrë drejt vdekjes nga pronari i lokalit.

Një ditë pas ngjarjes tragjike, shumë dashamirës të kafshëve shkuan tek vendi i vrasjes dhe bënë homazhe për “Troin”.

Deri më tani, policia nuk ka marrë asnjë masë për këtë rast, përkundrazi në ambientet e komisariatit nr.6 është shoqëruar zonja që kujdesej për qenin.

Ky është një ndër dhjetra vrasjet e pamëshirshme të qenve në Tiranë, e cila rrezikon të mbetet pa përgjegjës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!