Partia Demokratike mblodhi të shtunën Kuvendin Kombëtar, organi më i lartë vendimmarrës i partisë ky i cili pas mbledhjes në muajin Prill kur kjo forcë politike adobtoi ndryshimet statutore, zgjedh bazuar në modalitetet e përcaktuara në të, anëtarët e ri të këshillit të kësaj force politike.
7 mijë delegatë nga të cilët 4500 prezent për të zgjedhur në 13 pika votimi 170 anëtarët e ri të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, mes listës me mbi 350 kandidatë.
Në 11:00 Pallati i Kongreseve u kthye në arenën ku organi më i lartë vendimmarrës i partisë demokratike Kuvendi Kombëtar nisi punimet.
Edhe pse disa prej tyre ishin pjesë e listës për antarësi në Këshill, munguan në prezencë figura me kontribute të shtumta në parti, por që sot nuk janë pjesë e strukturave të saj, si dhe ata që konsiderohen si ‘kundërshtarët’ e kreut të kësaj force politike Lulzim Basha.
Pjesë e kësaj liste edhe dy demokratë që i rikthehen strukturave të partisë, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj.
“Unë nuk kam ndërprerë asnjëherë komunikimin me PD-në. Me zotin Basha kemi pasur gjithmonë një bashkëpunim të shkëlqyer dhe unë përfitoj nga rasti ta falenderoj pasi ishte ftesa e Bashës që unë u bëra pjesë e listës për Këshillin kombëtar të PD-së. Mendoj që kur partia është në opozitë ka nevojë për kontributin e të gjithëve sepse opozita e sotme është qeverisja e nesërme dhe natyrisht ka nevojë për kontributin e gjithë qytetarëve”, tha ai.
Pas nisjes së votimit, Edit Harxhi, Edvin Kulluri, Valbona Mezini, Igli Cara dhe Fabjan Topollaj shpallën tërheqjen nga gara.
Mes të parëve që votuan ishte lideri historik i demokratëve Sali Berisha. Menjëherë pas tij, ai aktual Lulzim Basha.
Ky votim për Këshillin e ri vjen pas ndryshimeve statutore të miratuara në Prill të këtij viti nga Kuvendi i Partisë Demokratike, i cili sanksionoi edhe modalitetet e reja si ishte edhe zgjedhja e një kryetari për Këshillin Kombëtar.
Do të jetë pikërisht ky Këshill i ripërtërirë ai i cili do të zgjedhë sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, anëtarët e zgjedhur të kryesisë si dhe sekretarët funksionalë sëbashku me komisionin e apelimit dhe shefin e Bordit Financiar të Partisë Demokratike./abcnews.al