DURRËS- Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë fjalës në Asamblenë e PS, u ndal tek kthimi i Kuvendit në normalitet. Ai tha se ky institucion nuk është më “një çmendinë”, ndërsa shtoi se rikthimi i fjalës do të krijojë hapësirë për të komunikuar.
“Për vendin ky është një moment kur reformat po japin rezultate. Ky është momenti për të mos u ndalur, për të rritur shpejtësinë duke nxitur një dallgë të re reformash. Kjo shkon në një linjë me kërkesat e fazës së re të integrimit evropian. Suksesin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Më vjen mirë që Kuvendi do të pushojë së qeni çmendina e mureve të fundit dhe së paku fjala do të rikthehet në vend të dhunimit të saj. Rikthimi i fjalës do të krijojë hapësirë për të komunikuar. Shumica jonë kuvendore duhet ta vendosë në komisionin e ligjeve për të nxitur një debat të madh publik lidhur me sfiduat e anëtarësimit në BE dhe reformave që Shqipëria duhet të ndërmarrë pa humbur kohë. Bisedimet për anëtarësim nuk janë vetëm të qeverisë”, tha Rama.
Më tej Rama, shtoi se nuk ka pazare apo marrëveshje me Sali Berishën, i shpallur “non grata” nga SHBA për “korrupsion dhe minim të demokracisë”.
“U fol këto ditë për pazare dhe marrëveshje me non gratën, marrëveshje me non gratën në dëm të drejtësisë dhe njohje nga ana jonë të zotërisë në ballkon si lider i PD-së, ashtu sikundër u fol për trembje të socialistëve nga SPAK-u dhe planeve të fshehta për vënien nën kontroll të drejtësisë së re. Të gjitha janë broçkulla’”, shtoi Rama.
Shefi i socialistëve tha se mazhoranca do ishte gati për të pranuar komisionet hetimore nëse ata do ishin brenda kornizës kushtetuese.
“Prandaj edhe dy ato komisione hetimore, brenda kornizës kushtetuese, mund ti kishim votuar me kohë dhe me vakt, nëse nuk do ishin kërkuari qorrazi jashtë asaj kornize”, u shpreh ai/ abcnews.al


