Kuvendi jep sinjal se njeh Bashën, i drejtohet selisë blu si “Foltore”

schedule15:26 - 12 Nëntor, 2023

schedule 15:26 - 12 Nëntor, 2023

TIRANË- Ndërsa në Parlament vijon të qëndrojë në ajrin e tymosur dilema mbi postet e demokratëve, vetë Kuvendi duket se ka marrë vendimin, të paktën kë grup njeh si Parti Demokratike. Të shtunën, nga selia blu pati një deklaratë, akuzë për shpenzime luksi të kryera nga Kuvendi, me firmë të kryeparlamentares Lindita Nikolla.

Vetë Kuvendi pati një reagim duke hedhur akuzat, të bëra, siç citohet në reagim, nga Foltorja. Pra, Kuvendi i drejtohet selisë blu, që drejtohet prej Sali Berishës, me emrin “Foltore”.

Zyrtarisht Berisha nuk është regjistruar si subjekt politik me asnjë emër dhe vijon të thotë se grupimi i tij është Partia Demokratike.

Reagimi i Kuvendit tregon së pari se njeh grupimin e Lulzim Bashës si Parti Demokratike. A do të thotë kjo rrjedhimisht edhe një përgjigje dhe për postin e kreut të grupit parlamentar demokratë?

Gazment Bardhi është përjashtuar nga Lulzim Basha nga PD-ja, pas bashkimit që bëri me Sali Berishën. Zyrtarisht Kuvendi nuk e ka thënë fjalën e fundit, por Lindita Nikolla vijon të zvarrisë përgjigjen që ka marrë nga juristët e institucionit, duke mos e deklaruar se kujt i përket posti i kryetarit të grupit demokrat, Lulzim Bashës apo Gazment Bardhit.

Nëse Kuvendi, sipas këtij reagimi, njeh Lulzim Bashën kryetar të PD-së, a mund ta njoh Gamzent Bardhin, si kryetarin e deputetëve në Parlament, vetëm prej faktit se ka numrin më të lartë të ligjvënësve demokratë pas vetes?

Ajo që ka qenë e dukshme deri më tani është se Lulzim Basha ka qenë plotësisht i tërhequr dhe i qetë në raport me postet parlamentare dhe ka vepruar vetëm përmes përjashtimeve të kundërshtarëve të tij të rinj.

E kundërta ka ndodhur me Gazment Bardhin, i cili prej seancës së parë në shtator, vetëm është konfliktuar me Kryeparlamentaren Nikolla dhe grupin e deputetëve socialistë. Por deklarata e së shtunës është sinjali i parë i qartë për shumicën, edhe nëse PD nuk është kundërshtari më i fortë, është partneri opozitar më të cilin do bëjë reformat, zgjedhorja, e para.