Juristja Brizida Gjikondi ka komentuar sot në “Tirana Live” në ABC News se sistemi gjyqësor në vend “vuan mungesën e konsistencës”, veçanërisht në raste me ngarkesë politike. Duke iu referuar seancës maratonë të Gjykatës Kushtetuese për ankimin e Erion Veliajt mbi heqjen e mandatit si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Gjikondi e cilësoi fjalimin e tij si “hipokrit, populist dhe të pavërtetë”.
“Ju mungon konsistenca e gjyqësorit. Kjo është diçka për t’i thënë sidomos në momentet që kemi një përplasje politike. Kjo Gjykatë Kushtetuese që është e përbërë nga 8 anëtarë, në rast se ndahet 4 me 4 rrëzohet kërkesa e zotit Veliaj. Sa për ligjërimin e Velijat, mu duk hipokrit, populist, i pavërtetë, sepse gjatë gjithë kohës i referohej votës së shqiptarëve. Ishte një fjalim populist dhe i pavërtetës, sepse jo vetëm Veliaj dhe politikanët nuk kanë përfaqësuar dhe nuk kanë pasur parasysh interesat e qytetarëve. Shumë dalin si të persekutuar politikë, por në fakt nuk janë të tillë. Do të doja që ata të vijë një moment që të vijnë me këmbë në tokë dhe të kuptojnë ndjesinë e fajit”, tha Gjikondi.
Veliaj doli këtë të preemte, më 31 tetor nga qelia e paraburgimit në Durrës, ku ndodhet prej muajit shkurt, për të marrë pjesë në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese. Në fjalën e tij ai iu referua votës së qytetarëve si legjitimitet për drejtimin e bashkisë, ndërsa Gjikondi theksoi se “shumë politikanë dalin si të persekutuar politikë, por nuk janë të tillë” dhe se “duhet të kuptojnë ndjesinë e fajit”./abcnews.al

