Gjykata Kushtetuese vendos që të trajtojë një ndër çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale të 2019-ës.
Kjo gjykatë më 6 prill do të shqyrtojë ankimimin e kryebashkiakut të atëhershëm të Vaut të Dejës, Zef Hila, që me vendim të qeverisë u shkarkua nga detyra, pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet lokale.
Kujtojmë që në atë kohë në bashkitë që drejtoheshin nga përfaqësues të djathtë ka pasur tensione për shkak se ata nuk pranonin të linin zyrat dhe njëkohësisht përgatitjen e zgjedhjeve, pa pjesëmarrjen e opozitës.
Zef Hila u akuzua për djegien e një KZAZ-jë nga punonjës të bashkisë, e më pas me propozim të kryeministrit Rama u shkarkua nga detyra, para se të zhvilloheshin zgjedhjet.
Duke e konsideruar të paligjshëm shkarkimin, Hila iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ligjshmërinë e largimit të tij nga posti i të parit të Vaut të Dejës.
Ndërkohë me interes pritet ankimimi që ka bërë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi për të vlerësuar ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale, që u zhvilluan pa opozitën pjesëmarrëse.