Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri Edi Rama kanë zhvilluar një konferencë për shtyp, ku në fokus kanë qenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në drejtësi dhe çështja e përgjegjësisë politike.
Von der Leyen theksoi se hetimi i çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar tregon se institucionet e drejtësisë po funksionojnë, ndërsa Rama tha se përgjegjësia e tij politike lidhet me vijimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Ursula von der Leyen: Shumë e qartë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është në zemër të të gjithë punës sonë. Kur shikojnë çështje, do të thotë që sistemi funksionon.
Edi Rama: Përgjegjësia politike, është një avaz i përsëritur në pafundësi, në mjedisin e diskutimit publik. Unë nuk pretendoj që të bëni të ndryshoni kuptim, por vetëm mund të përsëris, që përgjegjësia ime është një vetëm një, që reforma në drejtësi të mos ndalet, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërcënimet që i bëhen shtetit, të zhvillohet gjithnjë dhe më shumë si mision i sistemit. Gjërat që ndodhin sot dhe që bëhet sot, as që mund të imagjinoheshin, derisa bëmë reformën në drejtësi. Nëse pyetja juaj se për përgjegjësitë individuale të njëri apo të tjetrit, të përgjigjemi si në komunizëm, atëherë atë sistem e kemi ndryshuar. Kjo është një mënyrë e të parit si në kohën e komunizmit. Sot jetojmë në demokraci dhe ajo që kemi për detyrë të bëjmë është që të ndajmë me publikun qëllimet. Të japim llogari për detyrën që bëjmë, pastaj kushdo le të japë llogari për veprimet që bën, përpara drejtësisë. Askush nuk merret në mbrojtje, kur bëhet fjalë për pasojat që hyjnë në sferën e sistemit gjyqësor. Këtu mbaron përgjegjësia ime politike.


