Kush po e kap Gjykatën Kushtetutese?

schedule16:26 - 16 Nëntor, 2019

schedule 16:26 - 16 Nëntor, 2019

Besimi publik tek Gjykata Kushtetuese u lëkund nga akrobacitë politike me emërimet e kandidatëve për gjykatën më të lartë të vendit. Një përplasje në dukje institucionale, por që nxori në pah ambicjet e njohura për dominim politik në kapërcim të ligjit. Mimoza Koçiu na sjell këtë dinamikë plot dritëhije, të javës politike që lamë pas. Ndjekim Politika në ABC News.

Historia po përsëritet me konfliktin institucional President-Mazhorancë, që rikthehet pas 4 muajsh, njëlloj si në fillim qershorin e 2019, kur Presidenti anulloi datën e zgjedhjeve vendore, e KQZ nuk e konsideroi dekretin, duke u mbështetur në një rezolutë që nxori parlamenti. Katër muaj më vonë, kur procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dy emra u shpallën fitues për të njëjtin vend, që i takonte kreut të shtetit, një nga Presidenti e një nga KED, mazhoranca po përmes një rezolute, i kërkoi GJK, që të mos njihte dekretin e Ilir Metës për Marsida Xhaferllarin. Për herë të parë një gjyqtar i shpallur kushtetues nga KED, Arta Vorpsi, shkoi të betohej para një noteri, e po për herë të parë presidenti Meta e artikuloi vullnetin për të shpërndarë parlamentin. Mbresues mbeti niveli i energjive të shpenzuara nga aktorët vendimmarrës për këtë cështje.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Afro dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese, ringritja e saj po shoqërohet me konflikte institucionale. Aktualisht detyrimin kushtetues për të propozuar nga 3 anëtarë, po e përmbushin vetëm presidenti e parlamenti, e jo GJL e cila ende nuk është ngritur. Këtë proces sipas ligjit e rregullon KED, institucioni që administron kandidaturat, që u shkojnë institucioneve që shpallin vakancat. KED bën vlerësimin e përmbushjes së kushteve për kandidim dhe profesionalizmin, si dhe u dërgon institucioneve, në këtë rast Presidentit e Kuvendit, renditjen e kandidatëve të vlerësuar prej tij. Kushtetuta saktëson një rend punë në procesin e përzgjedhjes, të parin presidentin, të dytin parlamentin, e këshu me rradhë deri në shterrimin e vakancave. Të dy institucionet kanë një afat 30 ditor për të zgjedhur, Presidenti e ka detyrim me ligj, kurse Parlamenti, detyrim me Kushtetutë.

https://youtu.be/A0pNTRlVirQ

Ishte Presidenti i pari që akuzoi kreun e KED Ardian Dvorani se nuk respektoi radhën e institucioneve, duke i imponuar presidentit zgjedhjen e dy kandidatëve njëri pas tjetrit, pa pritur kuvendin, sic e parashikon Kushetuta. E madje këtij të fundit i kishte dërguar kuvendit listën me të njëjtët emra si të Presidentit, por më vonë. Presidenti e kishte zgjedhur anëtarin e vet të parë, Besnik Muçin, e kërkonte që edhe parlamenti të bënte zgjedhjen e tij të parë, në mënyrë që më pas presidenti të zgjidhte kandidatin e dytë e sërish parlamenti pas tij. Me këtë arsyetim Presidenti i kërkoi publikisht KED stopimin e procesit, që do stoponte edhe afatin e tij 30 ditor, deri sa kuvendi të bënte zgjedhjen e vet. Ndërsa presidenti priste kuvendin, ky i fundit caktoi që seanca plenare të bëhej pasi kreut të shtetit t’i skadonte afati. KED publikoi në FZ renditjen e kandidatëve që i kishte çuar presidentit, që me skadimin e afatit 30 ditor, konsideronte automatikisht fituese, kandidaten e renditur të parën, Arta Vorpsin.

Para seancës plenare ku kuvendi do votonte për dy kandidatet e mbetura në listë, Presidenti përmes një mesazhi në FB i kujtonte deputetëve se përzgjedhja e anëtarëve ka një rradhë të përcaktuar dhe Kuvendi duhet të bëje detyrën, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutë. Por mesazhi i tij nuk u dëgjua dhe kuvendi i votoi të dy kandidatët e vet, të dy emrat që kishte në listë Elsa Toskën e Fiona Papajorgjin me nga 105 vota pro.

Kryeministri Rama u shfaq vetëm në momentin e votimit, për t’u larguar edhe unë pas tij. (efekt)Ilir Meta u gjend para faktit të kryer, pasi teksa priste radhën e Kuvendit, pa shprehur kundërshtim për të vazhduar përzgjedhjen, zgjedhja e tij ishte bërë automatike, sipas KED. Kundërpërgjigja e Metës ishte shpërfillja e emërimit të Arta Vorpsit dhe dekretimi i Marsida Xhaferllarit, emri i fundit në listën me 4 emra të KED. Në sqarimin para gazetarëve, epiteti mafioz ishte më i përdoruri nga kreu i shtetit, si për kreun e KED ashtu edhe për mazhorancën.

Por Presidenti nuk shpjegon se përse vetë nuk respektoi afatin 30 ditor që i njihte ligji. Njëlloj edhe Ardian Dvorani nuk sqaron se përse ka shmangur këtë radhë kushtetuese të institucioneve për emërimin e gjyqtarëve kushtetues, por flet vetëm për detyrime të institucioneve të tjera.

“KED ka ezauruar të gjitha procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve për të gjitha vendet vakante. Cilido autoritet tjetër, përfshirë organet e emërtesës, kanë detyrimin të respektojnë vendimet e KED në këtë proces. Prandaj, ato janë të detyruar t’i përmbahen listave të publikuara përsa i takon renditjes dhe përbërjes së tyre, në këtë rast të dërguara Presidentit dhe Kuvendit”.

Ky është momenti kur nis loja e nervave me kohën. Presidenti bën të ditur se do zhvillojë ceremoni betimi vetëm për gjykatës që i konsideron në përputhje me kushtetutën.

Perceptimi se mos presidenti nuk do bënte ceremonitë e betimit për dy anëtaret e GJK të zgjedhura nga Kuvendi, solli alarmim të mazhorancës, që si zakonisht, mbështetje ka numrat në kuvend

Por për rastin e Arta Vorpsit, nuk përfshihej dot Kuvendi, duke qenë se ajo ishte pjesë e vakancave të kreut të shtetit, që nuk e njihte si zgjedhje.

Zgjidhja ishte edhe më kreative sa ajo e KQZ në qershor 2019. Mëngjesin e të enjtes, gjyqtarja e renditur e para nga KED dhe e shpallur automatikisht fituese për në Gjykatën e Lartë, bëri një betim vullnetar tek një notere, duke anashkaluar si kushtetutën ashtu edhe presidentin. Formula e betimit në deklaratën që e kishte përpiluar vetë Vorpsi, ishte ajo e parashikuar në betimin para presidentit, por një të tillë e me dorën në kushtetutë, nuk kishte patur, të paktën jo para noteres, edhe pse Vorpsi garantonte me firmë për atë akt.

Veprimi i noteres u mbështet edhe nga dhoma kombëtare e noterëve.

Por ç’ka noterja apo kryetarja e dhomës së noterëve nuk thonë është se noteri nuk është një procedues kaq mekanik në punën e tij, pasi ligji u njeh edhe detyrime e përgjegjësi. Ato janë të qarta në ligjin për Noterinë në germën o të nenit 62 të tij

“Noteri refuzon kryerjen e veprimeve ose akteve noteriale në rast se dokumentacioni i paraqitur nga pala kërkuese nuk është i plotë; objekti ose përmbajtja e tyre është në kundërshtim me ligjin dhe parimet e përgjithshme të së drejtës, ose në raste të tjera ku noteri krijon bindjen personale se veprimi ose akti noterial i kërkuar është fiktiv”.

A konsiderohet vallë akt fiktiv mungesa e betimit për të cilën vetë Vorpsi kishte nënshkruar?

Kreu i shtetit e trajtoi me ironi përmes zëdhënësit, ndërsa qeveria u kujdes të përcillte në media se procedura e Vorpsit ishte e rakorduar me partnerët ndërkombëtarë, e në mbështetje të një rekomandimi të Venecias, që i cilëson betimet si akte të thjeshta ceremoniale. I dha zë edhe KM Rama.

Pas pohimeve të Kryeministrit, pikëpyetja është edhe më e fortë: përse vallë qeveria duhet të impenjohej për një vakancë që i takon një institucioni tjetër, në këtë rast Presidenti?

Për një jurist si Ylli Manjani, ish ministër drejtësie, betimi i Arta Vorpsit para një notereje, thyen çdo logjikë normale.

Në të njëjtën linjë u duk edhe nënkryetari i KQZ-së, juristi Denar Biba. I zgjedhur nga socialistët, ai e vlerësonte jo serioze situatën dhe e konsideronte një shfaqje të njëanshme të vullnetit të gjyqtares. Thjesht mund të merret me mend se përse nënkryetari i KQZ nxitoi që ta fshinte atë qëndrim një orë më vonë.

Por pavarësisht rezervave të presidentit dhe opozitës, ndërkombëtarët përshëndetën votimin e dy anëtareve të reja të GJK nga kuvendi. E para ambasada amerikane, sipas të cilës me atë votim Shqipëria shkon përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratikë. Në të njëjtën linjë edhe BE edhe ambasada Gjermane, ndërsa ngritja e gjykatës kushtetuese është kushti i parë i Bundestagut. Dukshëm ndërkombëtarët po nxisin finalizimin e një procesi që kanë financuar e mbështetur vetë prej vitesh.

Për ish presidentin Sali Berisha, vendit i bëhet dëm kur nxitet shkelja e kushtetutës

Presidenti Meta ishte më i ashpër e foli për diplomatë të korruptuar

Ilir Meta thirri për betim tre anëtare të Gjykatës Kushtetuese, dy të emëruar nga kuvendi e një prej tij. Edhe radha e betimit reflektonte qëndrimin e Metës se kushtetuta impononte një rend mes Presidentit e Kuvendit. Mbrëmjen e të enjtes, bënë betimin me dorën mbi kushtetutë Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, në një ceremoni solemne ku ishin ftuar edhe dy antarët e tjerë të GJK, Vitore Tusha e Besnik Muci, si dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj gjykate.

Por edhe mazhoranca po bënte lëvizjen e vet. Thirri në seancë të jashtëzakonshme kuvendin. Synimi: miratimi i një rezolute ku i bëhej thirrje Gjykatës Kushtetuese, njëlloj si në qershor KQZ-së, që të mos njihte dekretin e presidentit për zgjedhjen e Marsida Xhaferllarit. Rezoluta e Kuvendit nuk ka fuqi detyruese mbi një organ të pavarur, por socialistët e bënë lëvizjen e tyre. Seanca kishte tipare formaliteti, pasi nga deputetët pritej thjesht vota e jo mendimi. Kreu i grupit socialist paraqiti rezolutën, kurse KM përdori fare pak nga 70 minutat që i ishin lënë në dispozicion, por pavarësisht epiteteve, mungoi agresiviteti i zakonshëm.

Nuk iu referua procedurës së nisur për shkarkimin e Metës, por si masë reaguese paralajmëroi kufizim me ligj të kompetencave të presidentit.

Ilir Meta e ka të qartë se me numrat që ka në kuvend, Edi Rama mund të bëjë çfarë të dojë, edhe ta kufizojë në kompetenca. Në fakt në më pak se 100 minuta, miratoi lehtësisht një rezolutë kundër Metës, me një shumicë përtej asaj kushtetueses, me 97 vota. Kundërpërgjigja ishte paralajmërimi për një akt drastik: shpërndarjen e parlamentit, edhe pse i mungon ajo kompetencë e qartë.

Deputetët socialistë nuk e lexuan me alarm.

Sytë e të gjithëve tani ishin tek GJK, aty ku mëngjesin e të premtes u paraqit edhe Arta Vorpsi, e betuar tek noterja, edhe Marsida Xhaferllari e dekretuar e betuar tek presidenti. Vorpsi që nuk disponon një dokument emërimi si anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, u kishte kërkuar anëtarëve, që ta validonin zgjedhjen e saj. Trupa tani katër anëtarëshe, ishte njohur edhe me rezolutën e parlamentit dhe përmes një njoftimi në faqen zyrtare, bënin të ditur se nuk kishin kuorumin e duhur, për të marrë një vendim. Por me fjalinë e fundit, i jepej përgjigje dilemës se mes Vorpsit e Xhaferllarit, kjo e fundit ishte anëtarja e re e GJK, pasi kishte bërë betimin tek presidenti.

“Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”.

Të ishte vallë kjo pritshmëri arsyeja shtyrjes nga presidenti të konferencës së tij për media? Ta kishte qetësuar ai vendim kreun e shtetit, që nuk foli më për shpërndarje të parlamentit? A i kishte ndryshuar objektin e asaj, që ishte njoftuar si konferencë e jashtëzakonshme për shtyp, ai qëndrim i GJK? Në daljen e tij Ilir Meta njoftoi se të hënën do depozitonte padi penale për kreun e KED për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore. Energji të pamata që mori procesi i qartë kushtetues i ngritjes së GJK kontrastoi javën politike që lamë pas, me pamjet e përplasjes së banorëve të Unazës së re me policinë, gjatë aksionit të IKMT për prishjen e 38 ndërtimeve. Gaz lotsjellës, lëndime nga dy palët dhe rritja e numrit të procedimeve penale për banorët në protestë prej një viti, kontrastuan me impenjimin e policisë për të negociuar vetëdorëzimin e kujt me vendim gjykate në mungesë, duhej të arrestonin, ish kryebashkiakun e Vorës.

Po aq fort kontrastoi edhe konstatimi zyrtar i FMN që e rendit Shqipërinë të 102 në botë, e ndër të fundit në rajon, sa i perket te ardhurave per fryme me 5.37 dollare.

“Pasqyra ekonomike globale, tetor 2019, tregon se të ardhurat e pritshme për frymë të shqiptarëve për këtë vit janë 5.37 dollarë. Nivel i ngjashëm ky me Irakun, Libanin, Libinë etj. Sai përket të ardhurave më të ulëta ndër shtetet europiane na e kalon Kosova me 4.44 dollarë për frymë e Moldavia që mban vendin e 128. Më të pasurit në rajon janë fqinjët e Malit të Zi. Të ardhurat e tyre për frymë janë 62% më të larta se të shqiptarëve, 8.703 dollarë. Pas tyre renditen serbët me 7.39 dollarë për frymë dhe Maqedonia e Veriut me 6.096 dollarë për frymë.

Situata nuk duket se do përmirësohet, të paktën sipas oponencës që i bën buxhetit të qeverisë për 2020, ish ministri i financave.

Një panoramë edhe më shqetësuese solli javën politike që lamë pas, Istituti i statistikave, sipas të cilit popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme të shpejta. Përveç emigracionit, shtesa natyrore e popullsisë po bie, me rënien e nr të lindjeve. Kështu në 3 mujorin e tretë të këtij viti, shtesa natyrore e popullsisë ra më 17.1%

Interesant është se kjo panoramë nuk nxit asnjë lloj iniciative apo rezolute, edhe pse është periudha e diskutimeve për buxhetin e vitit të ardhshëm. Prej dy javësh tashmë KM shfaqet shumë rrallë në publik, e kryesisht për evente politike. Nga ana tjetër Lulzim Basha po e vijon me takime me bizneset rrugëtimin e tij nëpër shqipëri, me fokus programin ekonomik, por pa saktësuar se mendon se mund të shkojë në zgjedhje për të ardhur më pas në pushtet e zbatuar ato premtime. Sali Berisha që i tërhoqi vëmendjen javën politike që lamë pas, duke kujtuar se reforma zgjedhore është kusht jo vetëm për mazhorancën edhe për opozitën.

Gjithsesi fokusi mbeti tek përplasja e fortë institucionale e politike për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. A ishin vallë akrobacitë e palëve, ilustrim i matjes së forcave për të patur të zgjedhurit e vet, edhe në gjykatën më të lartë të vendit? Taulant Balla e pati një akuzë direkte për Ilir Metën, në seancën ku deputetët votuan për dy emrat e vetëm, që u ishin vënë përpara.

A janë këto lëvizje përpjekje për të patur kontrollin mbi Gjykatën Kushtetuese përmes të emëruarve? Koha ka treguar se jo pak emra edhe në institucionet e reja të drejtësisë, janë të lidhur me mazhorancën qeverisëse. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!