Kush janë skuadrat shqiptare më aktive në merkato

schedule22:24 - 27 Korrik, 2019

schedule 22:24 - 27 Korrik, 2019

Skuadrat shqiptare nuk ndalen në merkaton e transferimeve. Partizani, Tirana, Kukësi dhe Teuta janë ekipet më aktive ndërkohë që Skënderbeu dhe Flamurtari nuk kanë firmosur me asnjë futbollit.

Skuadrat shqiptare vijojnë lëvizjet në merkaton e futbollistëve si në hyrje ashtu edhe në dalje. Kampionët e Shqipërisë, Partizani kanë ndërhyrë masivisht në merkato duke ndryshuar grupin e sezonit të kaluar. Të kuqtë kanë nënshkruar me Hakaj, Melon, Romeron, Ekubanin, Brojan, Solomonin, Braun, Boldor dhe Teqja natyrisht duke përfshirë edhe huazimet. Edhe largimet kanë qene masive si Hebaj, Duka, Mombilo, Hila, Rexhepi, Kalari dhe Atanda.

Mjaft aktive edhe skuadra e Kukësit në merkaton e futbollistëve. Verilindorët kanë nënshkruar me Mustën, Avdylin, Van Basten Cema, Kitanovskin, Lulaj, Kamara, Dakun dhe Gavazajn ndërkohë që edhe largimet nuk kanë munguar ku bien në sy Rexhinaldo, Valdet Rama, Simon Rrumbullaku dhe Stivi Frashëri.

Afrime të rëndësishme edhe në skuadrën e Tiranës, e cila ka pretendime të larta për sezonin e ardhshëm. Bardheblutë kanë zyrtarizuar 7 futbollistë. Agustin Torasa, Idriz Batha, Elton Kale, Ismael Dunga, Tefik Osmani, Pano Qirko dhe Edvan Bakaj janë lojtarët që kanë nënshkruar me skuadrën kryeqytetase. Trajneri Mema ka në dispozicion emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe pritshmëritë janë të larta.

Mjaft aktive edhe skuadra e Teutës si në hyrje ashtu edhe në dalje. Drejtuesit e klubit durrsak i kanë vendosur në dispozicion trajnerit Shkëmbi futbollistë tepër cilësore ku dallohen Todorovski, Nikaç Kalaja dhe Lajthia. Ndërkohë që lista e largimeve është e gjate ku vetëm të premten janë larguar Bushiç ndërkohë që të shtunën përfundoi aventurën me Teutën edhe portieri Hidi.

Skuadra e Skënderbeut e ndodhur në udhëkryq pas dënimit nga UEFA nuk ka afruar asnjë lojtare ndërkohë që janë larguar të gjithë elementet cilësore si Muzaka, Bregu, Vangjeli, Teqja apo Radas.

E njëjta situatë edhe tek skuadra e Flamurtarit dhe Luftëtarit ku përtej largimeve nuk është regjistruar asnjë afrim për shkak të situatave ku ndodhen klubet. Nuk qëndron pas skuadra e Laçit. Kurbinasit janë përforcuar me shumë futbollistë ndërkohë edhe largimet nuk mungojnë në radhët e të besuarve të trajnerit Sulejman Starova.

Dy skuadrat e sapongjitura në elitën e futbollit shqiptar, Vllaznia dhe Bylis kanë bërë disa lëvizje edhe pse nuk dallohen emra të mëdhenj. Klubet shqiptare e kanë të gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të bërë disa ndërhyrje të fundit në merkato./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!