Kush është oligarku rus Deripaska, mori 55 mln euro punë në qeverinë e Berishës

schedule16:20 - 26 Janar, 2023

schedule 16:20 - 26 Janar, 2023

Qeveria e Sali Berishës duke nisur nga 2010 deri në 2013 u ka besuar shoqërive të lidhura me oligarkun rus Oleg Deripaska tendera për një vlerë prej 55 milionë eurosh. Të dhënat dalin pikërisht pas një investigimi të Shqiptarja.com pas deklaratës së Sali Berishës i cili akuzon si zakonisht Edi Ramën se i ka dhënë në 2017 shoqërisë Trema Engineering 2, në të cilën është aksioner i tërthortë oligarku, një koncension PPP për hidrocentralin e Shushicës, ndërsa si gjithmonë mediat e familjes Berisha denoncojnë si një skandal faktin se të njëjtat shoqëri të lidhura me oligarkun, kanë fituar gjatë qeverisjes Rama 3 tendera publikë për vlerën 20 milionë euro.

Shoqëritë nën akuzë quhen Strabag dhe Trema Engineering 2. Strabag është themeluar në 1929 dhe është shoqëria më e madhe e ndërtimeve austriake me seli qëndrore në Vienë dhe një nga më të mëdhatë në Europë me filiale në të gjithë botën, nga Shtetet e Bashkuara në vendet arabe. Trema Engineering 2 është një shoqëri shqiptare e themeluar në 2001 pronare e të cilës 100% është Strabag. Skandali sipas Berishës dhe zëdhënësve të tij, është se një prej aksionistëve të Strabag (dhe si rrjedhojë e Tremës) është oligarku rus Oleg Deripaska që zotëron 25.9% të aksioneve të Strabag përmes shoqërisë qipriote Rasteria. Aksionistët e tjerë janë investitorë të nivelit të Uniqa-Reiffeisen me 29.5%, familja Haselsteiner me 28.3% ndërsa 14.4% të aksioneve janë të negociuara në bursë në pronësi të mijëra aksionistëve të vegjël. Kjo është gjendja të paktën deri në prill të 2022, kur oligarku rus u sanksionua nga Bashkimi Europian (për shkak të luftës në Ukrainë) duke dalë nga pjesëmarrja e aksioneve në Strabag dhe rrjedhimisht edhe nga Trema.

Emri i Oleg Deripaska, bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit, u bë popullor në Shqipëri këto ditë sepse bëhet fjalë për oligarkun rus, i sanksionuar nga amerikanët që në vitin 2016 (por të vlefshme për vendet e Bashkimit Europian vetëm nga prilli 2022), për të cilin përfundoi në burg agjenti i FBI-së Charles McGonigal, miku i Edi Ramës me të cilin ka bërë disa takime. Teoria e paraqitur këto dy ditë nga Berisha është se Edi Rama ka favorizuar oligarkun rus duke e lejuar të fitojë tendera dhe konçesione që nuk I takonin. Fantazia e Berishës arrin deri aty sat ë hipotizojë marrëdhënie aferash mes Ramës dhe vetë Putinit.

Për konçesionin PPP të centralit të Shushicës, në të vërtetë, Trema Engineering kontrollon vetëm 33 % dhe gara është fituar në janar 2017, pra 9 muaj para se agjenti i FBI-së të takonte për herë të parë Edi Ramën, takim i bërë me 9 shtator 2017. Por, nëse është e vërtetë që Trema dhe Stabag ka fituar 3 gara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nga 2019 deri më sot për një vlerë 20 milionë euro, si e justifikon Berisha faktin që të njëjtat dy shoqëri kanë fituar 9 gara nga 2010 deri në 2013 për një vlerë totale prej 55 milionë eurosh, pra kur ishte ai në Qeveri?

Dy shoqëritë në të cilat oligarku rus ka 27% të aksioneve në kohën e Berishës kanë fituar:

Rehabilitimi i rrugës për Rreshen (07/2010)

Rehabilitimi i rrugës Torovicë-Dam (07/2011)

Ndërtimin e Gjykata së Krimeve të Rënda (03/2007)

Aeroportin e Tiranës (05/2008)

Burgun e Fierit (02/2011)

Rrugë në Zerqan (03/2010)

Rrugë në Kafaraj (04/2011)

Ujësjellësin e Bilishtit (01/2012)

Rrugën e Moglicës (08//2013)

Pra këto punë tregojnë se Sali Berisha ishte në afera me oligarkun rus mik të Putinit sipas akuzave që ai i bën Edi Ramës? Përgjigja është shumë më e thjeshtë. Strabag fiton gara në të gjithë botën përfshi Shtetet e Bashkuara dhe fiton gara të bëra edhe nga organizata ndërkombëtare. Faturimi i saj vjetor prek 1 miliardë eurot dhe punon prej kohësh edhe në vende e Lindjes përfshi Shqipërinë. E bëntë këtë kur ishte Sali Berisha në pushtet, e bën dhe sot që është Edi Rama. Të paktën këtu nuk shihet asnjë skandal. Kështuqë Berisha të çlirohet e të shpikë një argument tjetër, pasi as kjo gënjeshtër nuk mban më./shqiptarja.com