Kush është ish-polici që iu bë atentat në kryeqytet (Foto)

schedule10:09 - 28 Gusht, 2019

schedule 10:09 - 28 Gusht, 2019

Një ngjarje e rëndë tronditi kryeqytetin mbrëmjen e së martës. Santjago Malko, 26 vjeç, mbeti i vrarë pas një atentati në rrugën “Xhenfize Keko” në zonën e ish-Kinostudios. Malko, ish-oficer policie u qëllua me armë zjarri teksa lëvizte me një automjet tip “BMW”.

Mësohet se atentati është bërë nga dy makina të ndryshme në momentin që Malko ka marrë mjetin e tij, të cilën e ka pasur në lavash. Një mjet “Mercedes-Benz” dhe një furgon i bardhë kanë qenë në ndjekje të Malkos dhe e kanë qëlluar me plumba kallashnikovi. Policia gjeti në skenën e krimit 10 gëzhoja. Dy prej tyre kanë rezultuar fatale për 26-vjeçarin, pasi njëri e ka goditur në kokë dhe tjetri në trup.

Një nga pistat e hetimit për këtë ngjarje është ajo e zhvillimit të paligjshëm të lojërave të fatit. Mbi 10 persona janë shoqëruar në polici, por deri më tani nuk është arrestuar asnjë njeri.

Ndërkohë në fshatin Ferraj u gjet e djegur makina “Mercedes Benz” e përdorur në këtë ngjarje. Brenda mjetit është gjetur edhe një armë kallashnikov e cila dyshohet se është përdorur për vrasjen e 26-vjeçarit.

Malko nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka qenë më parë i arrestuar dhe i shpallur në kërkim për shkak të përfshirjes së tij në ngjarjen e 4 Tetorit në ish-bllok sëbashku me mikun e tij Ervis Martinaj ku mbeti i vrarë një person dhe dy të tjerë të plagosur.

Më 2016, Malko gjithashtu është përfshirë në një konflikt me vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi, 34 e 26 vjeç, ku konflikti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi të pakthyer.

Të dyja palët, edhe vëllezërit, edhe ish polici, kanë patur në pronësi, lokale bastesh sportive në të njëjtën zonë, por sipas Policisë konflikti kishte ndodhur në lokalin e Edmond Lashit. Mësohet se dy vëllezërit i kanë pasur borxh një shumë prej 1 mijë eurosh Santiago Malkos. Ky është viti kur Malko u largua nga policia.

/abcnews.al