Policia e Tiranës ka vënë në pranga 40-vjeçarin Gjergji Cukali, i akuzuar si autori i vrasjes së ish-policit Arben Bilali. Por, emri i Gjergji Cukalit nuk është i panjohur për policinë e kryeqytetit. Ai njihet edhe si një nga “të fortët” e rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë pas disa ngjarjeve të përsëritura në këtë lokalitet. Jo vetëm personazh i njohur në botën e errët të krimit, por 40 vjeçari është edhe mik i ngushtë i Emiljano Shullazit.
Më 24 Nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004.
Dënimi i dhënë ndaj Cukalit ishte dhjetë vjet burg, ndërkohë fajtorë u deklaruan edhe pesë persona të tjerë të pandehur në lidhje me ngjarjen e pengmarrjes së ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”.
Ndërkohë që ai mbaroi dënimin për pengmarrjen e Demirlikës, i ndihmuar edhe nga amnistia që i fali një vit burg, problemet e të riut me policinë nuk mbaruan.
Më 20 Gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjergji Cukali, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
Arrestimi i tij është bërë asokohe pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.
Korrik të vitit 2016, ai ishte si pjesë e një rrjeti kriminal të përbërë nga 16 persona, të cilët shpërndanin kokainë të cilësisë së parë në Tiranë. Personat u arrestuan në saj të operacionit të koduar “Tangent” dhe në pranga përfundoi edhe i forti i “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali.
Por si u zhvilluan ngjarjet që prej arrestimit në vitin 2016 deri në lirimin e tij?
Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”, gati një vit pas arrestimit.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumentonte se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuan nga astma bronkiale dhe ka kriza të shpeshta. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë vendosi që Gjergji Cukali nuk mund të mjekohej në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë.
12 Prill 2018: Policia e Tiranës arrestoi sërish Gjergj Cukalin, pasi kishte thyer masën e “arrestit shtëpiak”. Gjykata e Lartë kishte dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Gjergj Cukalin, pasi në vitin 2016 është arrestuar si drejtues i një grupi që shpërndante kokainë në Tiranë. Pavarësisht se është një person i rrezikshëm, i dënuar për pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje, Gjykata e ka lënë në arrest shtëpie Cukalin, ndërkohë që vendimi i formës së prerë ende nuk është dhënë. Policia e Tiranës deklaronte në atë kohë se Cukali akuzohet për veprën penale “Largimi i të burgosurve nga vendi i qëndrimit”, që parashikon dënim deri në 4 vite burg. /abcnews.al