Juristi Giuseppe Conte mori dritën jeshile nga Presidenti Mattarella për të udhëhequr qeverinë e re të Italisë. Por kush është zoti Conte? Në mediat ndërkombëtare kur flitet për profilin e tij theksi vihet tek kurrikulumi me të dhëna që rezultojnë të rreme.
“Emri që i kemi çuar presidentit të Republikës është ai i Giuseppe Contes, që përveç se është një profesionist i profilit të lartë është edhe një person që vjen nga periferia e vendit”.
Me këto fjalë kryetari i Lëvizjes 5 Yjet, Luigi di Maio u prezantoi gazetarëve emrin e personit që do të bëhej kryeministri i ri i Italisë. Në fakt, zoti Conte, profesor juridiku në Romë dhe Firence, nuk është një politikan i zgjedhur dhe madje, deri më sot ka qenë një person i panjohur për politikën.
Që prej emërimit, ai është akuzuar se ka fryrë kurrikulumin e tij akademik në përpjekje për të promovuar figurën personale në nivel ndërkombëtar. Në një CV të vitit 2013, ai thoshte se kishte “perfeksionuar studimet ligjore” në Universitetin e Nju Jorkut, por një zëdhënëse e institutit prestigjoz deklaroi së fundmi se emri i tij nuk figuron në bazën e të dhënave për personat që kanë ndjekur studimet atje.
I njëjti kurrikulum thoshte se Conte kishte kryer “kërkime shkencore” në Universitetin e Kembrixhit në vitin 2001, por sërish një zëdhënëse tha se nuk mund të konfirmonte e as të mohonte bëmën e pretenduar nga tashmë kryeministri i Italisë. Gjithashtu, Conte ka deklaruar se ka punuar për studimet e tij në Institutin Ndërkombëtar të Kulturës në Vienë, një shkollë që nga sa rezulton nuk ofron kurse ligjore.
Lëvizja 5 Yjet dhe Liga e Veriut prezantuan emrin e tij të hënën dhe Presidentit Mattarella iu desh kohë për të vendosur pikërisht për shkak të dyshimeve që u ngritën mbi profilin e tij. Tani, pas marrjes së dritës jeshile nga kreu i shtetit, detyra parësore e tij do të jetë, siç e tha dhe vetë, sjellja e ndryshimit që presin italianët, të drobitur nga kriza financiare e vitit 2008 që e la vendin me një ekonomi 6 për qind më të ulët dhe me 3 milionë njerëz më shumë në varfëri.
Politikat e premtuara nga dy partitë vlerësohet të kenë një kosto prej 100 miliardë eurosh, ndërkohë që Italia është vendi me borxhin publik më të lartë në BE pas Greqisë. Gjithashtu, si 5 Yjet edhe Liga e Veriut nuk janë adhuruese të monedhës së përbashkët dhe gjatë fushatës Salvini përsëriti disa herë se aderimi në euro ishte një gabim për Italinë, ndërsa Di Maio propozoi një referendum për qëndrimin e mëtejshëm të vendit në Eurozonë.
Sidoqoftë, më vonë të dy ata u tërhoqën nga ambicjet fillestare dhe tani duan të reformojnë ekonominë e brendshme. Nëse do t’ia arrinë, kjo mbetet për t’u parë, por me një kryeministër me CV të falsifikuar skepticizmi që do të shoqërojë pritjen do të jetë i madh./abcnews.al