Kush është Fatjon Murati që u kap në makinë me Endrit Doklen, lidhja e tij me masakrën e Fushë-Krujës ku u vra Brilan Martinaj

schedule22:20 - 8 Tetor, 2022

schedule 22:20 - 8 Tetor, 2022

Fatjon Murati, është personi i cili u ndalu mbrëmjen e sotme nga policia e Tiranës. Ai rezultonte i shpallur në kërkim policor, ndërsa në makinë lëvizte bashkë me Endrit Doklen. Ky i fundit është shoqëruar në polici dhe po merret në pyetje, por nuk ka një urdhër arresti ndaj tij.

Ndërkohë, Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Murati ishte i shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë. Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje.

Prokuroria e Krujës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e ndodhur të dielën në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë tre të rinjtë Brilant Martinaj, (nipi i Ervis Martinajt) Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Mes emrave që kërkon organi i akuzës të pyeten ishin Gentian Reçi, djali i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, numri dy i bandës së Durrësit Endrit Dokle, në lidhje krushqie me ish-policin e vrarë, dhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, Ramazan Rraja.

Gjithashtu, organi i akuzës kërkoi marrjen në pyetje në lidhje me atentatin me tre viktima dhe të shtetasve Alesio Dobrozi, Rohan Brahimi dhe Fatjon Murati. Grupi hetimor mblodhi prova të shumta në vendngjarje, dy aparate celularë pjesërisht të djegur dhe më shumë se 60 orë filmime të kamerave të sigurisë.

Paraprakisht, grupi hetimit dyshon se autorët kanë qenë katër persona të përgatitur për ngjarje të tilla dhe që e njihnin mirë zonën. Tre prej tyre kanë hapur zjarr me breshëri sapo mjeti “Passat” me të cilin udhëtonin viktimat u fut në mbikalim. Vendi ishte zgjedhur me kujdes, që Martinaj, Hoxha dhe Vata të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi.

Shoferi Besmir Hoxha dhe pasagjeri i parë, Brilant Martinaj ndërruan jetë në vend. I treti, Diklen Vata që qëndronte në sediljen e pasme u plagos por mundi të dilte nga “Volkswagen Passati” dhe të bënte disa metra. Autorët e kanë parë dhe i kanë shkuar pas, duke e qëlluar përsëri derisa e lanë të vdekur krah karrexhatës.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!