Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Më 12 mars, dy javë pas bombardimit brutal të Ukrainës nga Rusia, udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë zhvilluan një bisedë telefonike me Presidentin Vladimir Putin. Vetëm disa ditë më vonë, tre kryeministra nga Europa post-komuniste polakë, çekë dhe sllovenë udhëtuan për në Kiev me tren, pavarësisht rrezikut.
Kjo divergjencë ekspozoi një ndarje në mënyrën se si vendet anëtare të NATO-s lindore dhe perëndimore e shohin luftën në Ukrainë. Për vendet perëndimore, jo më pak për Shtetet e Bashkuara, konflikti është një katastrofë për popullin e Ukrainës por rreziku më i madh është se lufta mund të kalojë kufirin duke shkaktuar një konflikt global.
Për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, situata është shumë më ndryshe. Këta fqinjë të Rusisë priren ta shohin luftën jo si një ngjarje të vetme, por si një proces. Për këto shtete post-sovjetike, pushtimi i Ukrainës duket si një hap tjetër në një seri sulmesh të Rusisë ndaj vendeve të tjera, që datojnë që nga sulmet e pamëshirshme në Çeçeni dhe lufta me Gjeorgjinë.
Për ta, duket marrëzi të supozojnë se Putin do të ndalet në Ukrainë.
Ndërsa Perëndimi beson se duhet të parandalojë Luftën e Tretë Botërore, Lindja mendon se lufta kundër vlerave, institucioneve dhe stileve të jetesës liberale demokratike tashmë ka filluar.
Por vizita e Biden në Poloni të premten, një ditë pas samitit urgjent të NATO-s, është një mundësi jetike për të krijuar një mirëkuptim të përbashkët. Të dyja palët, Perëndimi dhe Lindja, duhet të jenë të bashkuara kundër agresionit rus.
Përgjatë shekujve, Europa Qendrore dhe Lindore kanë përjetuar efektet rrëqethëse të imperializmit rus.
Nga Rusia cariste në Bashkimin Sovjetik, shumë vendeve fituan pavarsinë, shoqëritë e tyre u shtypën dhe kulturat e tyre u margjinalizuan. Trauma e shkaktuar nga humbja e territoreve dhe e shtetësisë është një nga elementët më të rëndësishëm të identitetit kolektiv në të gjithë rajonin.
Shumica në Europën Qendore dhe Lindore janë të shqetësuar për sovranitin. Pavarësia e tyre, e rivendosur me një përpjekje kaq të madhe pas vitit 1989, mund të shembet lehtësisht, siç u dëshmua gjatë shekullit të 20-të.
Në fatin tragjik të Ukrainës, dhe më parë të Çeçenisë dhe Gjeorgjisë, ata shohin jo vetëm të kaluarën e tyre traumatike, por edhe të ardhmen e tyre të mundshme.
“Ne do të jemi të radhës,” është kjo fraza që dëgjon shpesh në këto vende.
Në këtë atmosferë të frikshme, hapat e kujdesshëm të NATO-s për shumë europianë duket e njejtë me situatën në 1939, kur Franca dhe Britania ndërmorën vetëm veprime të kufizuara ushtarake dhe nuk shpëtuan aleatin e tyre lindor, Poloninë.
Në atë kohë, mediat sociale u mbushën nga histori të tmerrshme nga Varshava e bombarduar dhe qytete të tjera. Megjithatë, aleatët ishin të vendosur të mos merrnin veprime të mëtejshme. Kjo vonoi përkohësisht përhapjen e luftës në të gjithë globin, por nuk e ndaloi atë.
Gjatë gjithë kohës, vendet gjeografikisht më afër Rusisë kanë kërkuar një përgjigje të ashpër. Tani që brutaliteti i plotë i Rusisë është zbuluar, vendet perëndimore po peshojnë anët nëse duhet të vendosin më shumë sanksione ndaj Rusisë, të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë dhe të intensifikojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Por vendet lindore do të preferonin më shumë se kaq. Masat e sugjeruara në rajon përfshijnë vendosjen e një zone ndalim-fluturimi – siç ka kërkuar vazhdimisht Presidenti Volodymyr Zelensky ose dërgimin e trupave të NATO-s përtej kufirit ukrainas, qoftë edhe vetëm si një mision paqeje.
Qeveria polake së fundmi dërgoi në Ukrainë avionët e saj luftarakë MIG-29, diçka që aleatët perëndimorë e konsideruan një veprim të rrezikshëm. Megjithatë, qytetarët në Europën Lindore dhe Qendrore janë të bindur se paralajmërimet e tyre janë të drejta.
Ata besojnë se kishin të drejtë me paralajmërimet e tyre në lidhje me tubacionet e Vendeve Nordike dhe planet e tjera gjeostrategjike të Rusisë në Ukrainë dhe ish-shtetet sovjetike. Për një kohë të gjatë, paralajmërime të tilla u hodhën poshtë si rusofobike, të parëndësishme në krahasim me frytet e bashkëpunimit ekonomik me Rusinë.
Sot këto paralajmërime duken tmerrësisht të vërteta. Kjo nuk do të thotë se liderët e rajonit të mallkojnë “marrëzinë” e Perëndimit – siç e quajti Czeslaw Milosz, shkrimtari emigrant polak fitues i çmimit Nobel, për dështimet e tij.
Në vend të kësaj, qëllimi duhet të jetë komunikimi më i mirë me partnerët perëndimorë, diçka që Zelensky, në fjalimet e tij e ka treguar se si duhet bërë.
Një nga gjërat që Putin dëshiron është që partnerët e NATO-s të jenë të përçarë dhe me qëllime të ndryshme. Pushtimi i Ukrainës, siç e shohin vendet lindore, është vetëm përpjekja e radhës e Rusisë për të përmbysur rendin gjeopolitik përmes përvetësimit të territorit.
Udhëheqësit në rajon janë në një pozicion unik për të përcaktuar madhësinë e agresionit të Putin dhe kështu të ndihmojnë Perëndimin që të kuptojë më mirë nivelin e rrezikut. Megjithatë, vendet e Europës Qendrore dhe Lindore do të dëshironin që NATO të përfshihej në një konflikt më të gjerë, ndërkohë që Perëndimi vazhdon t’i japë përparësi paqes globale.
Është një dilemë tragjike dhe shumë larg një zgjidhje, mbase tani është vetëm fillimi.
/abcnews.al