Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kush do jetë pasuesi i Altin Dumanit/ KLP zgjedh këtë të enjte kreun e ri të SPAK, në garë katër kandidatë

schedule07:42 - 11 Dhjetor, 2025

schedule 07:42 - 11 Dhjetor, 2025

TIRANË- Altin Dumani po i afrohet fundit të mandatit si drejtues i SPAK. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të vendosë këtë të enjte për pasuesin e tij. Mbledhja e KLP fillon në orën 09:00 dhe do të  JETë E hapur për mediat

Për drejtimin e Strukturës së Posaçme në garë janë katër kandidatë;  Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gogaj, dhe Klodian Braho.

Për herë të parë, mes pretendentëve për kryeprokuror të SPAK është edhe një grua, prokurorja Musabelliu. Të gjithë kandidatët do të paraqesin sot para anëtarëve të KLP platformat e tyre të punës, ndërsa më pas pritet votimi për drejtuesin e ri.

Një ditë para mbledhjes vendimtare, SHBA vlerësoi punën e Altin Dumanit gjatë një takimi me zyrtarin e Departamentit të Shtetit, zv.drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise.

Sipas Ambasadës Amerikane, Dumani ka luajtur rol kyç në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke ngritur standardet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Edhe delegacioni i BE-së në Tiranë dhe ambasada britanike apeluan për një proces të drejtë, të hapur dhe transparent, duke kërkuar që të zgjidhet një drejtues i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të larta evropiane.

Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022, duke u bërë drejtuesi i dytë i kësaj strukture pas Arben Krajës.

Profilet e kandidatëve për kreun e SPAK:

– Klodian Braho lindi në Skrapar më 21 korrik 1982. Gjatë viteve 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.

Detyrat që ka ushtruar

14.11.2007-2012- Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.

2012-2015- Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

2014-2015- Zëvendësdrejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

2015-19.12.2019- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Nga 19 dhjetori 2019  dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

-Adnan Xholi është emri më i përfolur deri më tani në garën për kreun e SPAK-ut, një nga njerëzit që qëndron në krah të drejtuesit Altin Dumani.

Xholi u lind në Dibër më 6 korrik 1975. Përfundoi studimet si jurist pranë Fakultetit të Drejtësisë. Ka marrë emërimin si prokuror më 6 janar 2004.

Detyrat që ka ushtruar:

01.05.1998-31.12.1999- Oficer i Policisë Gjyqësore i Seksionit të Prokurorisë, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tepelenë.

01.01.2000 – 31.12.2000- Zëvendësdrejtues Prokurorie (Zv/Prokuror Rrethi), në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

01.01.2001-05.01.2004- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Janar 2004- maj 2013- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Gusht 2012- dhjetor 2012- Drejtues i Komanduar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Qershor 2013-2017-  Prokuror/Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

04.03.2015 – 28.09.2015-  Drejtues i Komanduar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranës.

2017 – 23.07.2021- Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme/Prokuror.

23.07.2021 –aktualisht/ Prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

-Doloreza Musabelliu u diplomua në vitin 2002 në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 2005 në Shkollën e Magjistraturës.

Detyrat që ka ushtruar:

11.10.2004 -19.12.2019- Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda.

19.12.2019 – 31.01.2020- Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (pas pushimit së ekzistuari të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda).

Nga 31 janari 2020 dhe aktualisht është prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Elvin Gokaj gjatë viteve 1994 – 1998, ka përfunduar studimet e larta të ciklit 4-vjeçar, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka marrë emërim si prokuror më 5 dhjetor 2000.

Detyrat që ka ushtruar:

2000-2007- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.

2007-2012- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

2013-2014-  Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

2014-2021- Prokuror dhe drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Nga 13 dhjetori 2021 dhe aktualisht, Gokaj mban detyrën e Prokurorit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!