Kurti uron kryetarin e ri të LDK: Interes i qytetarëve që partitë politike të hedhin hapa

schedule19:04 - 14 Mars, 2021

schedule 19:04 - 14 Mars, 2021

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia ka uruar Lumir Abdixhikut, postin e ri si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti është shprehur ndër të tjera se pret bashkëpunim ndërmjet opozitës dhe qeverisë, si dhe opozitarizëm, siç e quan ai, të fortë në legjislaturën e re, për të cilën nga partia e tij kanë thënë se do konstituohet në fund të marsit.

“Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë”, shkruan Kurti.

Postimi i plotë:

Dëshiroj të uroj punë të mbarë për z. Lumir Abdixhiku, i cili është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së.

Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë.

Nga ana ime, vullneti e korrektësia për bashkëpunim në interes të vendit e në përputhje me verdiktin që qytetarët dhanë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të mungojë asnjëherë.

Të gjithë mund të japim shumë për Kosovën, e askush askujt nuk mundet më t’ia mohojë këtë të drejtë.  

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!