Kurti, thirrje qytetarëve nga Parisi: Të gjithë ta votojmë Arben Vitinë, ilaçin për Prishtinën

schedule22:32 - 12 Nëntor, 2021

schedule 22:32 - 12 Nëntor, 2021

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës Arben Vitia ka përmbyllur fushatën elektorale për raundin e dytë të zgjedhjeve më 14 nëntor, ku për kundërkandidat do të ketë Përparim Ramën nga LDK-ja.

Nga Parisi ku po merr pjesë në Forumin e Paqes përmes një video-lidhje, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar votën për Arben Vitinë të cilin e quajti ilaç për punët e mira dhe të mëdha që e presin kryeqytetin.

“Prishtinës i duhen më shumë trotuare dhe ndriçim, më shumë çerdhe dhe paqe, qendra rinore dhe inovative shkencore e kulturore më shumë rend dhe rregulle më shumë dije dhe besim. Vota për Benin të dielën është votë për të filluar punët e mira dhe të mëdha që presin komunën. Vota për Benin të dielën është votë për të fuqizuar lagjet e fshatrat tona për të mbështetur familjet tona është votë për një Prishtinë të jetueshme e të barabartë. Vota për Benin e Lëvizjes të dielën është votë për të mbrojtur gjitha gjërat që i kemi arritur shtatë muajt e fundit e për t’i vazhduar ato. Kudo që po shkoj po kam mundësinë që të flas për atë që po bëjmë në Kosovë njerëzit janë të mrekulluar dhe veçanërisht për procesin e vaksinimit të udhëhequr nga Beni, e ky njeri na e zbardh fytyrën çdo detyrë që ia besojmë e prandaj duhet të udhëheqë kryeqendrën e Republikës…të gjithë ta votojmë kthesën për zhvillim, shpresën për ndryshim e ilaçin për Prishtinë pra Arben Vitinë”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka pasur dy fjalë për rivalin e Arben Vitisë, për të cilin tha se nuk do të bëjë ndonjë gjë tjetër, por eventualisht ndonjë vilë për vete e miqtë e tij në liqenin e Badocit”.

“Këta të tjerët që i kanë dalë Arbenit përballë, ky kundërkandidati që i ka dalë Arben Vitisë përballë, ky nuk do të bëjë ndonjë gjë tjetër por eventualisht ndonjë vilë për vete e për dostat e vet në liqenin e Badocit. Kjo nuk bën, sepse bëhesh ‘Prapakthim Rama’ tani. Arbeni nuk po hyn në komunën e Prishtinës për t’u pasuruar vetë, por po garon dhe po e merr përgjegjësinë dhe udhëheqjen e për t’i ndihmuar kryeqytetit tonë, për t’iu gjetur pranë kryeqytetasve vetë për t’i gjetur zgjidhjet më të mira në çdo fushë dhe për ta qeverisur komunën bashkë me prishtinasit, Arben Vitia do ta shndërrojë Prishtinën në një qytet ku shumica e popullit nuk do ta braktisë gjatë fundjavës… Plani i Benit nuk është reklamë, plani i Benit nuk është garë me numra dhe plani i Benit nuk është fotografi me fotoshop, ato janë të kundërkandidatit të Benit. Plani i Benit është kryeqyteti jonë dhe jeta e vet Prishtinës, mijëra probleme e pengesa që ne biem të flemë dhe zgjohemi në mëngjes dhe të cilat do t’i rregullojë Arben Vitia”, tha ai.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Arben Vitia ndërsa ka shpalosur pjesë të programit të tij qeverisës, tha se të gjithë janë të bashkuar për të krijuar një Prishtinë të jetëueshme.

“Prishtina është një pikëtakim i përkujdesjes ndaj njëri-tjetrit andaj të gjithë jemi bashkë në planin tonë për Prishtinën e jetueshme. Është përditshmëria jonë që na ka bërë çdo herë një të gjithëve në përpjekjet tona edhe ato kombëtare. Andaj, sot jemi këtu të gjithë për Prishtinë që duam për këtë qytet kaq të dashur për secilin prej nesh. Ne të gjithë krenohemi me Prishtinën, lagjet e saj, rrugët me kafiteritë ikonike, monumentet dhe historinë e Prishtinës dhe të gjithë e dimë që mundemi edhe më shumë ky qytet qyteti ynë do të zë hapin e zhvillimit dhe të mirëqenies hapin që e kthen në qytet të jetueshëm dhe që na bënë krenarë dhe të cilit i shërbejmë e na shërben, sepse kështu janë qytetet, kështu është edhe Prishtina”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!