Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi që të flasë lidhur me thirrjen që iu bë të mërekurën nga Prokuroria Speciale. Ai u pyet nga gazetarët për një deklarim në lidhje me këtë zhvillim, por kryeministri i Kosovës u shfaq shumë i zënë për të sqaruar opinionin publik.
Duke diskutuar për këtë çështje në emisionin “Ballkan Update”, avokati Ardian Bajraktari tha se Kurti është ftuar si dëshmitar në kuadër të një hetimi të nisur vitin e kaluar për rezervat shtetërore.
“Kryeministri është ftuar si dëshmitar në kuadër të një procesi hetimor nga 2023, me çështjen që njihet si rezerva shtetërore. Dua të besoj si kryeministri si qytetar dhe kreu i qeverisë do të reflektojë për këtë kërkesë dhe t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së prokurorëve specialë. Vlerësoj se nga aspekti ligjor s’ka relevancë për çështjen e implikimit në zgjedhjet. Jam i bindur se kryeministri do t’u përgjigjet pozitivisht ftesës në kuadër të këtij procesi hetimor.”, u shpreh Bajraktari.
Ndërkohë avokati Amer Alia u shpreh optimist se kryeministri i Kosovës do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së prokurorëve specialë.
“Secili person duhet të jetë i barabartë para ligjit pavarësisht pozitës. Ftesa nga prokuroria speciale dhe gjykata duhet të jetë pozitivisht kur ftohet si dëshmitar. Ka edhe pasoja nëse nuk paraqitet që mund të dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit. Kurti është ftuar nga prokurorët vendorë për një çështje hetimore dhe jo si i dyshuar.”, tha avokati Alia./abcnews.al