Pasi Shtetet e Bashkuara parlajmëruan Albin Kurtin për të mos hapur urën e Ibrit në këto momente dhe për të mos rrezikuar ushtarët amerikanë, kreu i qeverisë së Kosovës vijon të mos ndryshojë mendim dhe të vërë në rrezikun e izolimit diplomatik Prishtinën Zyrtare.
Në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se me vendimin për të hapur Urën e Ibrit ai nuk po del kundër askujt dhe se qeveria e tij vijon të konsultohet me partnerët ndërkombëtar. Kurti deklaroi se ka ndarë me komandantin e KFOR vlerësimet mbi qëndrueshmërine dhe sigurinë e kësaj ure.
“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura.”, tha Kurti.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që ta trajtojë çështjen hapjes së Urës së Ibrit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë paralajmëruar për sanksione ndaj Kosovës nëse qeveria e Albin Kurtit ndërmerr veprime të njëanshme që rrezikojnë sigurinë Rajonale dhe përshkallëzojnë tensionet./abcnews.al