Presidenti serb akuzon kryeministrin e Kosovës se po promovon idenë e Shqipërisë së Madhe. Vuçiç iu referua vizitës se Albin Kurtit në Tetovë, ku siç tha, u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve.
Vizita joformale e kryeministrit, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut është komentuar edhe nga Beogradi. Presidenti serb Aleksander Vuçiç, akuzoi kreun e qeverisë së Kosovës së ka promovuar Shqipërinë e madhe, teksa ajo më absurdja për atë ishte fakti që Kurti u prezantua si kryeministër “i gjithë shqiptarëve”.
“Ajo që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ishte skandal i skandaleve. Aty u promovua ideja e ‘Shqipërisë së madhe’, u theksuan simbolet e saja, e Kurti u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, ndër të tjera”.
Kreu i shteti serb theksoi edhe nevojën për të forcuar ushtrinë, pasi sipas tij, vetëm në këtë mënyre mund të parandalojnë Kurtit që mos të sulmojë vendin.
“Këto janë gjëra shqetësuese, po të mos ishim aq të fortë ushtarakisht, aq herë më të fortë në aspektin e teknologjisë, armëve dhe gjithçka tjetër, a e dini sa herë Kurti do ta kishte sulmuar çdo pjesë të Serbisë? Shikoni ideologjinë e tij, ai nuk do të sulmonte vetëm Serbinë qendrore, por edhe Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, e pyetja është se çfarë do të ndodhte edhe me Shqipërinë”
Kryeministri Kurti zhvilloi një vizitë joformale në Maqedoninë e Veriut. Ai u takua vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare dhe anashkaloi takimin me BDI-në, partinë më të madhe të shqiptarëve atje./abcnews.al