“Kurti po na fut në ekuacion me shumë të panjohura”, Prenkaj: Protagonizmi i kryeministrit ka izoluar Kosovën

schedule16:27 - 5 Qershor, 2024

schedule 16:27 - 5 Qershor, 2024

PRISHTINË– Ambasadori Albert Prenkaj në një intervistë për “Balkan Update” në ABC News komentoi rolin që ka marrë Shqipëria në rajon. Ai theksoi se Shqipëria ka konsoliduar vetveten, ndërsa shtoi se Kosova nuk po vepron me të njëjtën strategji.

Sipas tij, Kosova është izoluar dhe për këtë fajin e delegon te kryeministrit Kurti, për të cilin thotë se ka marrë një protagonizëm që nuk e çon askund.

“Kemi një ngecje në bashkëpunim mes qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, jo nga ana e Tiranës, por nga një nevojë për të ngritur vetveten në një protagonizëm të kryeministrit Kurtt, i cili e ka çuar Kosovën në izolim jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të Ballkanit”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova duhet të bashkëpunojë me të gjithë aktorët, si rajonalë dhe ato ndërkombëtarë, përfshirë SHBA dhe Brukselin.

“Mosbashkëpunimin me Evropën, konkretisht me Brukselin, me SHBA, por edhe me shtete të tjera të rajonit e ka izoluar Kosovën dhe Kosova është shndërruar në një ishull, i cili nuk transmeton një vullnet të mirë për paqen dhe bashkëpunimin, por një protagonizëm, që na fut në një ekuacion me shumë të panjohura”, tha ai./ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!