SHKUP- Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mediat e Kosovës, ku ndau shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në “të mirë” dhe “të këqij” dhe shprehu vlerësime për kryeministrin Hristijan Mickoski si një politikan të papërulur përballë Beogradit, ka ngjallur reagime të forta.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cilësoi këto qëndrime si një shqetësim kombëtar, ndërsa mbështetjen e Kurtit për koalicionin VLEN e interpretoi si mbështetje për, sipas tij, “argatët e Beogradit dhe Moskës”.
Lidhur me këtë debat, analisti Sefer Selimi, i ftuar në emisionin “Balkan Update”, deklaroi se marrëdhëniet mes Kurtit dhe Ahmetit kanë qenë prej kohësh të tensionuara.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut, duke kritikuar qasjen e Kurtit ndaj zhvillimeve politike në vend.
“Në fakt nuk është ndonjë sekret i madh që Kurti nuk e ka shumë për qejfi z. Ahmeti. Përpjekja e Albin Kurtit për të rishkruara historinë e shqiptarëve. Krisje e madhe mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Prishtinës zyrtare.
Bota serbe po hyn dhe dominon në Maqedoninë e Veriut, Kurti ose është naiv politik i përmasave të mëdha, ose është në një manipulim të përmasave të mëdha duke e ditur se Maqedoninë e Veriut është nën krahët e botës serbe.
Integrimi i vendit është i bllokuar dhe kjo i shërben vetëm Serbisë dhe presidentit Vuçiç”, tha ai./abcnews.al


