Politika e Kosovës vazhdon të jetë e ndarë në përgjigjet ndaj administratës së presidentit Trump. Mediat në Kosovë kanë raportuar se kryeministri Albin Kurti i ka dhënë përgjigje negative Këshilltarit për Siguri Kombëtare të presidentit Trump, Robert O’Brian në kërkesën për heqjen e plotë të taksës.
Mësohet se Kurti ka thënë se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Ndërkohë “Expres” citoi një zyrtar të lartë të administratës amerikane, i cili ka njohuri për përmbajtjen e bisedës, të ketë thënë se O”brien i ka bërë të ditur kryeministrit Kurti se “SHBA nuk do ta ndihmojnë ekonomikisht Kosovën, nëse vazhdon të mbajë tarifat”.
Në këtë bisedë, kryeministrit Kurti i është rikujtuar edhe prezenca e trupave amerikane në Kosovë dhe Këshilltari për Siguri Kombëtare i ka thënë kryeministrit të Kosovës se kjo prezencë është duke u shqyrtuar gjithashtu. Mësohet se projektet që planifikoheshin të realizoheshin përmes sfidave të Mileniumit, janë pezulluar dhe bëhet fjalë për dhjetëra miliona euro.
Media në Kosovë raportoi dy ditë më parë se Kurti kishte dështuar të përgjigjej në një thirrje telefonike që i kishte ardhur nga Shtëpia e Bardhë. Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi ishte në Washington, ku u takua në Shtëpinë e Bardhë edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Thaçi ka thënë se do të informojë krerët e partive politike në vend, përfshirë edhe Kurtin, lidhur me atë që ka ndodhur në Washington./abcnews.al