Këtë të shtunë në Kosovë u mbajt Konferenca e Prokurorëve, një konference e pervitshme kjo e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara me synimin për të garantuar një sistem gjyqësor efikas dhe të paanshëm. Shefi I zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë Tomas Szunyog në fjalën e tij deklaroi se sulmet që janë bërë përgjatë muajve të fundit nga zyrtarë të Qeverisë Kurti po minojnë pavarësinë e institucioneve.
“Puna e një prokurori ka të bëjë me sigurimin e dënimeve, por në të njëjtën kohë ka të bëjë me mbrojtjen e sistemit ligjor, duke respektuar parimin ‘Askush nuk është mbi ligjin’, duke demonstruar se drejtësia është e verbër ndaj pushtetit, privilegjit apo pozitës. Në këtë aspekt, pavarësia e prokurorisë është e panegociueshme. Kohët e fundit, për fat të keq, kam vërejtur deklarata të qeverisë në media që sulmojnë prokurorët dhe gjyqtarët. Unë e kam kritikuar publikisht këtë, duke nënvizuar rëndësinë themelore të pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatave. Sulmet që tentojnë të ushtrojnë ndikim të padrejtë, apo minojnë autoritetin e institucioneve janë të papranueshme dhe duhet të largohen”
Në fjalën e tij përgjatë Konferencës së Prokurorëve edhe Ambasadori Amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier deklaroi se është fustruese që Prokurorët përballen me kritika edhe nga qeveritarët për punën e tyre të vështirë.
“Është e pritshme kur kritikoheni për punën e tuaj veçanërisht nga ata që nuk janë të familjarizuar me praktikat ligjore që janë hartuar për të siguruar trajtim të barabartë në bazë të ligjit. Jam i bindur se është frustuese nganjëherë është edhe ofenduese që të përballeni me kritikat për shkak të punës që e bëni, që e bëni punë e mirë, jo vetëm nga publiku por edhe nga udhëheqësit e degëve të qeverisë që po ashtu kanë përgjegjësi për të mbrojtur sundimin e ligjit të Kosovës dhe qeverisjen e mire.”
Në fjalën e tij, Ambasadori Amerikan në Prishtinë bëri thirrje gjithashtu që të ketë një proces me meritokraci sa i përket zgjedhjes së Kryeprokurorit të ardhshëm të vendit ndërsa vlerësoi ata prokurorë që kanë punuar të pandikuar nga rrethanat./abcnews.al