Pas arritjes së marrëveshjes me LDK-në, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar sërish duke folur tashmë për procesin negociues me partinë që do të bashkëqeverisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Kurti shkruan se me LDK-në moti janë marrë vesh se do të qeverisnin bashkë.
“Në negociatat me LDK-në, njëri-tjetrit, i kemi ofruar kërkesa e i kemi kërkuar oferta, jemi qarë e kemi qeshur, përherë të kujdesshëm që ndërmjet nesh të ndodhet një tavolinë.
Jemi vonë, gjithsesi. Nuk është tepër vonë, pa dyshim.
Moti jemi marrë vesh, tash kemi edhe marrëveshje. Do të qeverisim bashkë.
Ju falemnderit për mbështetjen dhe durimin. Urime të gjithëve!”, shkruan Kurti në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë. Dy liderët, Kurti dhe Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan për arritjen e marrëveshjes dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re./abcnews.al