PRISHTINË- Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi në emisionin “Ballkan Update” në ABC News tregoi një panoramë të qartë të realitet në Kosovë. Pavarësisht premtimeve dhe mburrjeve të vazhdueshme të kryeministrit Albin Kurti, Elezi tha se qytetarët Kosovë nuk ndjehen të sigurt.
Ngjarjet e fundit si vrasja e 19-vjeçarit në Vushtri, apo dhe krimi vrasja e ditës së djeshme në Shkup janë “tingujt e një kambane alarmi” për sigurinë publike në Kosovë.
“Referuar statistikave të fundit kemi një rritje te dhunës përfshirë këtu edhe vrasjet. Kemi kaluar të gjitha shifrat për dhunë dhe përdorim të armës në krahasim me çdo shtet tjetër fqinj.”, theksoi eksperti i sigurisë.
Ai u ndal dhe tek vjedhjet dhe posedimin e lëndëve narkotike, në rrugë dhe veçanërisht në shkolla. Sipas ekspertit policia dhe autoritete shtetërorë nuk janë duke dhënë një performancë të mirë sa i takon sigurisë mbarëvajtjes së vendit.
“Në Kosovë brenda ditës ka dhjetëra veta të cilët shkelin Rregullat e Qarkullimit Rrugor dhe u konfiskohet patenta, por nuk kemi konfiskimin e një arme. Nëse flasim për vjedhjet edhe ato janë goxha të pranishme dhe në nivele të larta. Posedimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike mbetet po ashtu një problem. Kemi një performancë të dobët të qeverisë së Kosovës sa u takon parandalimit të konsumimit të këtyre lëndëve. Bazuar në të gjitha të dhënat publike shkollat dalin të jenë me probleme serioze në posedimin në lëndët narkotike dhe probleme të sigurisë. Autoritet duhet të kenë një angazhim më serioz sa u takon personave problematike dhe atyre që futin lëndë narkotike në ambientet e shkollës.”, pohoi Elezi.
Ai shprehu shqetësimin se policia e Kosovës ka kaluar në një polici etiketash, që nuk parandalon krimin, por thjesht mbush arkat e shtetit.
“Jemi të shqetësuar që policia e Kosovës të ketë kaluar në polici etiketash. Në vend që të ruajë sigurinë publike, mbush arkën e buxhetit të shtetit”.
Në fund eksperti i sigurisë tha se ligjet duhet të jenë më të ashpra pasi qytetarët kanë humbur besimin në autoritet dhe institucionet shtetërorë, duke shkuar deri në vetëgjyqësi.
“Ligjet duhet të jenë më të ashpra për këta persona, duhet fushata informuese për rrezikun që paraqet posedimi i armëve. Qytetarët kanë humbur besimin në drejtësi dhe po bëjnë vetëdrejtuesi.”, tha ai./abcnews.al