“Kurti ka theksuar propagandën e përplasjeve me Perëndimin”, Nazarko: Shqetësuese, në Kosovë mungon një opozitë tërheqëse për elektoratin

schedule19:48 - 20 Gusht, 2024

schedule 19:48 - 20 Gusht, 2024

Analisti Mentor Nazarko ka folur në “Edicionin Qendror” dhe për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Ai ka thënë se është shqetësues fakti që në Kosovë mungon një opozitë e besueshme, e cila të jetë tërheqëse për elektoratin.

Sipas Nazarkos, Albin Kurti këto 6 vitet e fundit ka theksuar një propagandë lidhur me përplasjet e tij me Perëndimin, duke dashur që nga opinioni publik të kuptohet sikur ai e ka mirë dhe gabim është pala tjetër.

“Nuk jemi në një situatë ku qytetarët janë të ndriçuar politikisht, nuk jemi në një situatë ku alternativa përballë zotit Kurti i ndriçon ata politikisht. Mendoj që për shkak të një protagonizmi të Kurtit në pikëpamje komunikative, elektorale, për shkak të privilegjimit ndaj tij të përplasjeve me ndërkombëtarët, për shkak të izolimit të Kosovës për një periudhë shumë të gjatë, një periudhë e cila vazhdon për hir të vërtetës, me përjashtim të liberalizimit të vizave, brenda opinionit publikë të Kosovës është konsoliduar bindja që bashkësia ia ka me hile Kosovës dhe privilegjon Serbinë. Edhe këtë e beson edhe populli. Në këtë narrativ të ngulitur për një kohë të gjatë, që zë fill veçanërisht këto 6 vjetët e fundit. Është intensifikuar propaganda e zotit Kurti në këtë modelin e tij të përplasjes me Perëndimin. Ne të Shqipërisë e kemi pak parasysh modelin e Enver Hoxhës, pra ky që e ka mirë dhe Perëndimi që e ka gabim.

Mirëpo, ajo që është shqetësuese është që në Kosovë mungon një opozitë e besueshme, e cila të jetë tërheqëse për elektoratin dhe për pasojë gjithë kjo kundërvënie e Haradinajve dhe e të tjerëve ka vetëm synimin që zoti Kurti mos të jetë në gjendje që ta bëjë qeverinë vetëm, por të jetë në gjendje që të ketë nevojë për t’ia zgjatur dorën një partie shqiptare dhe atëherë rreth tij të bëhet një embargo. Pra, asnjë parti shqiptare të mos japi votat, në mënyrë të tillë që ai të bëhet kryeministër. Ky është skenari më optimist për të cilën po punohet nga opozita e Kosovës dhe nga bashkësia kombëtare, e cila ka bërë të qartë që Zoti Kurti ka marrëdhëniet më të këqija me të, amerikanët po ashtu.

Kështu që kjo është arsyeja pse opinion publik i Kosovës është i përfshirë nga një lloj mentaliteti të izoluar, që e ka promovuar zoti Kurti në këto 6 vitet e fundit”, tha ai./abcnews.al