TIRANË– Një nga drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit në Kosovë, duke e cilësuar periudhën e fundit si të paqëndrueshme dhe pa rezultate konkrete.
Ai kujtoi se që në vitin 2019, kur Albin Kurti fitoi zgjedhjet për herë të parë, kishte paralajmëruar një periudhë mungese stabiliteti. Sipas tij, zhvillimet e shtatë viteve të fundit kanë konfirmuar këtë parashikim, duke u karakterizuar nga krizë politike, mungesë qartësie dhe mungesë reformash të brendshme.
Hoxha u shpreh se, ndonëse jashtë Kosovës Kurti është perceptuar si politikan perëndimor, në realitet ai ka treguar se është “politikan i kulisave dhe intrigave” dhe të gjithë këtë e ka bërë për të qëndruar në pushtet.
Duke folur për situatën aktuale, ai theksoi se kriza është pasojë e dështimit të asaj që dikur u konsiderua si “binomi i shpresës” në vitin 2019. Sipas tij, vendi nuk ka përfituar njohje të reja ndërkombëtare, anëtarësime apo hapa konkretë drejt integrimit në NATO.
Në përfundim, ai e cilësoi situatën si një përplasje egoje që mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme dhe bërë përgjegjës për këtë bëri Albin Kurtin, por edhe presidenten Vjosa Osmanin.
““Në 2019 kur Kurti fitoi zgjedhjet në Kosovë për herë të parë, kam mbajtur një fjalim në Kuvend, ku bëja përpjekje që ta bind qytetarin e Kosovës se do jetë periudhë e jo stabilitetit. Dhe gjithë sa ka ndodh në këto 7 vitet e fundit është mungesë e jo qartësisë, jo stabilitet kriza politike, asnjë reformë e brendshme. Nëse jashtë Kosove Kurti është parë si politikan perëndimor, në fakt ka treguar se Kurti është politikan i kulisave, i intrigave për të mbetur në pushtet.
Kjo krizë që është aktualisht në Kosovë është vijimësi e dy njerëzve që u panë si binom i shpresës në Kosovë në 2019 dhe nga deri më tani krejt çfarë i kanë ofruar vendit ka qenë një teatër politik, populizëm pa njohje ndërkombëtare, anëtarësime, pa idenë që të anëtarësohemi në NATO. Çfarë po ndodh është një përplasje egosh që mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje dhe përgjegjës është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të dy”, tha ai./abcnews.al


