Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me anë të një vido-mesazhi të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ka shprehur përkrahjen ndaj kandidatit të demokratëve për president Joe Biden.
Kështu, Kurti ka dalë “kundër” presidentit aktual të SHBA-ve Donald Trump ndërsa fton shqiptarët që jetojnë në SHBA që të votojnë për Biden.
Sipas tij, një votë për Biden, është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë.
“Që nga vitet ’90, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishte ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Milloshevicit; që bëri thirrje për ndërhyrje amerikane në Bosnjë, dhe më pas në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serbë të luftës; dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës,” shprehet Kurti ndër të tjera.
Po ashtu, kreu i LVV ka deklaruar se shqiptarët kanë vetëm një mik të vërtetë dhe një aleat të dëshmuar, sipas tij, ai është Joe Biden i Partisë Demokratike. s.b/abcnews.al/