Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Kurti 3” rrëzohet në Kuvend/ S’merr votat në kuvend, pritet vendimi i Osmanit

schedule12:10 - 26 Tetor, 2025

schedule 12:10 - 26 Tetor, 2025

Dështim pas dështimi. Ashtu siç pritej, Albin Kurti nuk i siguroi dot votat e nevojshme për të miratuar qeverinë e re, duke e thelluar krizën institucionale të Kosovës.

Në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, qeveria e propozuar nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje mori vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme. 52 vota ishin kundër, ndërsa katër abstenime. Deputetët që abstenuan ishin: Fatmir Limaj dhe Arbëreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku nga Nisma si dhe Veton Berisha.

Pavarësisht fjalimit të gjatë, ku u mundua të largonte çdo përgjegjësi nga vetja për dështimin e tejzgjatur, Kurti nuk i bindi deputetët se duhet të vazhdojë edhe këtë mandat.

Emrat që ai propozoi ishin thuajse të njëjtët që kanë ushtruar detyrën katër vitet e fundit, besnikë të tij, shpesh shumë të kontestuar. Ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën e propozoi për zëvendëskryeministër të parë dhe ministër të jashtëm, ndërsa për zëvendëskryeministre të dytë dhe ministre të drejtësisë, Kurti propozoi Donika Gërvallën. Nderkohe Ejup Maqedonci dhe Xhelal Sveçla do të mbanin detyrën e tyre.

Por riciklimi i të njëjtave figura, nuk mjafton për të çuar para Kosovën, e cila mes një krize institucionale, ka rrezikuar marrëdhëniet me partnerët, ka humbur fonde të majme dhe rrezikon të izolohet më tej.

Kreu i Partise Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se seanca e kësaj te diele, vertetoi se Kurti po e mban peng vendin. Ndërkohë Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se votimi dëshmoi që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e nevojshme për të formuar një Qeveri të re.

Nderkohe Fatmir Limaj i Nismës, tha se nuk votoi pro qeverisë së re për shkak të Dimal Bashës, kryetari i Kuvendit. Ai tha se Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën

Me dështimin e Kurtit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani duhet të emërojë një të mandatuar të dytë për kryeministër brenda 10 ditësh, i cili ka gjasat më të mira për të formuar qeverinë.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, i mandatuari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe,  në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.

I mandatuari i ri ka sërish 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.

Nëse edhe në këtë rast qeveria nuk zgjidhet, presidenti shpall zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!