Një mesazh urimi për këtë ditë të shënuar për besimtarët myslimanë, ka përcjellë kryetari i komunitetit mysliman të Shqipërisë Skënder Bruçaj.
Mesazhi i plotë i Skënder Bruçajt
“Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit, Krijuesit të Gjithësisë. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me të afërmit, me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.
Kjo ditë e bekuar është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes dhe e falënderimit ndaj mirësive të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia ka dhuruar njerëzimit.
Besimtari i cili ka shijuar ëmbëlsinë e besimit është zemërgjerë, lutet dhe punon për të mirën e të tjerëve, dhe ndan me të tjerët mirësitë dhe begatitë që i ka dhuruar krijuesi i gjithësisë. Kurbani është nje shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh), i Cili na ka dhënë mirësi të pa numërta. Njeriu arrogant, hipokrit i cili ka hequr, dashurinë, mëshirën nga zemra e tij mund të kthehet në një egërsirë e cila mund t’i shkaktojë shumë plagë shoqërisë.
Prandaj le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje.
Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne.
Në një ajet Kur’anor thuhet: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (El-Haxh:37), pra, kjo mirësi që nuk ka për qëllim thjesht shpërndarjen e mishit te kurbanit, por synon bashkimin e zemrave dhe përçimin e frymës së respektit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.
Qoftë kjo ditë për Shqipërinë dhe Shqiptarët ditë feste, gëzimi e bashkëpunimi!
Mirësia dhe Begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona!
Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë me të gjithë Shqiptarët ku do që ndodhen!”. /abcnews.al