Kur mund të arrihet një marrëveshje Kosovë – Serbi?

schedule21:29 - 18 Nëntor, 2021

schedule 21:29 - 18 Nëntor, 2021

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha të enjten se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, diskutoi për mundësinë e një marrëveshjeje me Serbinë, përgjatë mandatit të qeverisë aktuale.

“Kisha kënaqësinë të takohesha me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi për të diskutuar një varg çështjesh, përfshirë këtu planin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, gjatë mandatit të tij qeverisës”, shkroi ai në rrjetin Twitter.

Të martën dhe të mërkurën, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë qëndruan në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Palët u takuan me ndërmjetësuesin por nuk pati një takim të përbashkët, për shkak të mospajtimeve rreth temave të diskutimit.

Delegacioni i Kosovës tha se tema kryesore duhet të jetë ajo e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës, ndërsa refuzoi këmbënguljen e palës serbe që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zyrtarët evropianë thanë se nuk pati kushte për takim të përbashkët, ndërsa ndërmjetësuesi Lajçak tha se “është koha për përparim”, një qëndrim të cilit i bëri jehonë edhe diplomati amerikan në Prishtinë.

Ndonëse nuk pati përparim në takimet e kryenegociatorëve,të enjten ekspertët e të dyja palëve u takuan në kuadër të grupit punues për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të targave të automjeteve.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se delegacionet angazhuan në mënyrë konstruktive, ndërsa u bëri thirrje “që të gjejnë një zgjidhje të përhershme për hir të qytetarëve të tyre”.

Mospajtimet rreth përdorimit të targave çuan në tensione të larta në fillim të vjeshtës dhe më pas palët arritën një marrëveshje, për mbulimin e përkohshëm të tyre dhe që brenda gjashtë muajsh, të gjejnë një zgjidhje të përhershme.

Nuk është qartë se kur mund të ketë takime të reja të kryenegociatorëve, nga arritjet e të cilëve është thënë se varet nëse do të ketë një takim të nivelit më të lartë politik.

Të hënën, shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për një takim para fundit të vitit.

Zoti Borrell e bëri këtë paralajmërim pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët thanë se që Prishtina dhe Beogradi të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime, ndërsa shfaqën shpresën për përkushtim të palëve për të hedhur hapat tjerë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që është kusht për integrimet evropiane të tyre.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, u takuan dy herë gjate verës por pa ndonjë përparim. Vëzhguesit thonë se edhe nëse do të ketë ndonjë takim të ri sipas paralajmërimeve të zotit Borrell, vështirë të pritet ndonjë përparim, ndërkohë që Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, do të mbajë zgjedhjet e reja presidenciale e parlamentare në pranverën e vitit që po vjen./ VOA