“Kur mbërritëm, vajza ishte mbytur”, një ditë pas tragjedisë në kanionin e Holtës

schedule16:30 - 15 Korrik, 2019

schedule 16:30 - 15 Korrik, 2019

Në operacionin e shpëtimit për turistët e bllokuar në kanionin e Holtës u angazhuan edhe forcat zjarrfikëse . Kreu i zjarrfikëses në Gramsh Ilir Llapushi tregon se kur mbërritën në vendngjarje 24 vjeçarja nga Lushnja ishte mbytur. Ai bën apel që turistët të mos futen në kanion pasi është mjaft e rrezikshme sidomos kur ka reshje.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Kanionin e Holtës ku humbi jetën 24 vjeçarja Desantila Sallaku nga Lushnja, shefi i zjarrfikëses në Gramsh  Ilir Llapushi ka folur për operacionin e shpëtimit të turistëve.

Ai tregon se reparti zjarrfikës e mori njoftimin nga policia, ku sipas uniformave blu, në kanionin e Holtës po mbyteshin disa persona.

“Pasi mbërritëm këtu, menjëherë vlerësuam situatën. Tentuam të çajmë rrymën e lumit të Holtës, duke kaluar në anë të shkëmbinjve, pikasëm mbi një shkëmb 3 fëmijë të cilët prisnin ndihmën e dikujt”, tha për ABC News Ilir Llapushi, shef i zjarrfikëses në Gramsh.

Sipas tij, kur zjarrfikësit kanë mbërritur, vajza ishte mbytur, megjithëse ata shpresonin se mund ta gjenin të gjallë. Ajo së bashku me vëllain kishin shkuar në fund të kanionit. Aty gjejnë edhe një  55-vjeçar që kishte hipur në një shkëmb. Pastaj kanë shpëtuar edhe vëllain e vajzës dhe personin tjetër.

“Kur ne mbërritëm në zonë vajzë ishte mbytur. Ne shpresonim që vajza të ishte gjallë bashkë me vëllanë. Ata kishin qenë pothuaj afër fundit të kanionit, aty ku rryma godet më shumë“, tha Llapushi.

Shefi i zjarrfikëseve në Gramsh  tha se ka ende ka turistë në kanion. Ndaj është lënë një person i posaçëm për të mos lejuar depërtimin në thellësi të kanionit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!