Ushtria Çlirimtare e Kosovës preu genin e nënshtrimit, ndërsa ne duhet të presim genin e indiferencës dhe përçarjes.
Mësimet nga lufta për liri dhe thirrja e fortë për të mos i lënë vetëm katër luftëtarët që ndodhen sot në Dhomat e Paraburgimit në Hagë, në një proces që tashmë pret epilogun e tij, ishin bërthama e diskutimeve gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” e autorit Ahmet Shala.
Ai zgjodhi Tiranën si ndalesë e dytë pas Prishtinës, për tu takuar me miqtë dhe për t’i bërë edhe njëherë thirrje përmes veprës së tij të gjithë elitës dhe intelektualëve në vend se shqiptarët nuk duhet të lejojnë që pluhuri i kohës që kalon dhe faktet e fabrikuara të mbulojnë të vërtetën.
Për kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kjo betejë nuk ka përfunduar. Ajo mbyllet kur katër ish krerët e UÇK të lënë Hagën, për të shijuar lirinë për të cilën luftuan.
Për gjeneralin Kudusi Lama, komandant i divizionit të Kukësit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë gjatë konfliktit në Kosovë, këtë çështje po e dëmton heshtja e atyre që nuk duan të flasin.
Për nënkryetarin e PDK, Enver Hoxhaj, gjykimi në Hagë po tenton të vendosi në pikëpyetje luftën e një populli në liri, ndërsa beson se fundit do të jetë triumfi i të vërtetës.
Intelektualë të tjerë si Flora Brovina, e nderuar me cmimin e milleniumit për Paqe në Kombet e Bashkuara, një nga katër votat kundër në parlamentin e Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale apo historianit Paskal Milo, është me rëndësi të kuptojmë se heronjtë nuk janë të tillë vetëm kur vdesin…ata janë të gjallë dhe po luftojnë ende për drejtësi…


